DOKUZOVSKI
Do të jetë vështirë të ndalet Levski!
25 March, 2014 @16:48
Skuadra e Sigal Prishtinës nesër do të luaj kundër Levskit në kuadër të Ligës Balkanike. Ndeshja do të zhvillohet në Prishtinë dhe do të jetë vendimdare për të dy skuadrat, pasi që fituesi i takimi do ta sigurojë pozitën e dytë e cila dërgon drejtpërdrejtë në Final Four.
Në lidhje me këtë ndeshje, foli edhe trajneri i Sigal Prishtinës, Marin Dokuzovski, i cili bëri një intervistë për faqen zyrtare të Ligës Balkanike.
“Ndjehemi normal, sikur para çdo ndeshjeje tjetër. Sot i pritëm dy lojtarë të rinj që do të jenë në ekip, por nuk di nëse do të luajnë nesër. Ne e dijmë që Levski është një ekip i mirë. Nëse i shikoni emrat, Levski është favorit, por ne luajmë pranë tifozëve tanë. Do të mundohemi të fitojmë dhe të kualifikohemi direkt, që do të ishte një sukses i madh për ne. Nuk do të ishte diçka fatale edhe nëse humbim, por fitorja do të ishte një rrugë më e lehtë për të shkuar në Final Four,” tha Dokuzovski
Trajneri maqedon shtoi se ekipi i tij për momentin nuk ndjen asnjë presion dhe çdo gjë është duke shkuar normalisht, derisa foli edhe për përforcimin e ri të Levskit, Brandon Health.
“Mendoj se me ardhjen e Brandon Healthit, Levski është bërë një ekip edhe më me përvojë. Ata kanë lojtarë si Chalmers, Jones, Wilkinson dhe Health, që kanë luajtur ndeshje të rëndësishme në Euroleague dhe NBA. Këta lojtarë kanë aftësi të lojës dhe janë me përvojë, që është gjëja më e rëndësishme. Në anën tjetër, Titi Papazov (trajner) dhe Toni Dechev (ndihmëstrajner) janë duke e udhëhequr ekipin me vite. Ata janë të përgatitur mirë taktikisht, janë bashkë për një kohë të gjatë dhe dijnë se çka duhet të bëjnë për të fituar. Për ne do të jetë shumë vështirë për ta ndalur Levskin në këtë ndeshje,” shtoi ndër tjerash Dokuzovski.
Në fund, ai foli edhe për homologun e tij, Konstantin Titi Papazov, për të cilin tha se megjithëse e ka shokë të mirë, do të mundohet ta mposht në përballjen e nesërme.
“Unë dhe Titi së pari jemi shokë shumë të mirë dhe kjo vjen para çdogjëje. Është normale, ne jemi trajnerë dhe kjo është puna jonë. Ai është duke e udhëhequr Levski dhe unë jam duke e udhëhequr Sigal Prishtinën. Kjo do të jetë kështu për dy orë dhe është normale që të dy do të kërkojmë që të fitojmë. Pas ndeshjes, ne do të jemi shokë përsëri. Kjo nuk është ndeshja e parë që do të përballemi kundër njëri tjetrit”.
Tabela aktuale në Balkan League.