ISTOGU - VËLLAZNIMI

Drama kryhet me fitore të Istogut
10 February, 2022 @15:30
Duel i jashtëzakonshëm, që u luftua fort në sekondat e fundit.
Istogu e Vëllaznimi kanë sjellë ndeshjen më interesante të Final 8 të Kupës së Kosovës deri tash, edhe pse ata garojnë për Kupën e Ligës së Parë.
Pas epërsisë fillestare të Vëllaznimit me pesë pikë, Istogu u kthye shpejt në lojë dhe ka mbajtur epërsinë deri në çerekun e fundit.
Drama e sekondave të fundit dhe tentimet e kuqezinjëve
Por, Vëllaznimi ka luftuar deri në sekondën e fundit të ndeshjes për të çuar duelin në dramë të vërtetë, ku në dy tentimet e tyre të fundit në sekondat e fundit, nuk arritën të shënojnë dhe humbën ndeshjen minimalisht 75-74 [20-15, 25-18, 20-22, 10-19].
Së pari ka qenë Michael Green që nuk arriti të shënojë për dy pikë, 2 sekonda para fundit të ndeshjes, ndërsa topin e kapur në kërcim, Atik Koshi ka provuar tresh për fitore - që gjithashtu s’arriti të përfundojë në kosh - dhe kështu Istogu arriti finalen e Kupës së Ligës së Parë.
Përndryshe, kjo ka qenë humbja e parë sezonale e Vëllaznimit në të gjitha garat, pasi që ekipi i drejtuar gjatë vjeshtës nga Franko Sterle e gjatë pranverës nga Shkumbin Kumnova - nuk ka pësuar ende në asnjë përballje në Ligë të Parë.
Istogu u tregua serioz nga fillimi
Por, në Kupë Istogu foli ndryshe dhe me Sam Taylor të disponuar për lojë (16 pikë, 9 asistime, 8 kërcime) si dhe me lojtarët Dardan Maharraj (15 pikë, 5 kërcime, 4 asistime) e Shëndrit Llapi (14 pikë, 6 kërcime, 3 asistime) ka arritur finalen.
Andi Kabashi, befasoi nga banka
Një plus i madh i shkon edhe Andi Kabashit, që nga banka shënoi 19 pikë, për të bërë ndoshta edhe dallimin kryesor në ndeshje.
Kjo, pasi që te Vëllaznimi nga banka erdhën vetëm 3 pikë, kurse pesëshja e parë - të gjithë - shënuan pikë dyshifrore, që në fund nuk mjaftuan.
Istogu gjithashtu bëri dallim edhe në shut për tri pikë, ku ata shënuan me saktësi 40% ndërsa gjakovarët 20%!
Më efikasi ishte Besnik Azemi me 19 pikë e 9 kërcime, ndërsa Bardh Rexha kreu lojën me double-double, 15 pikë e 19 kërcime - që nuk mjaftoi për finale.
Istogu në finale të Kupës së Ligë së Parë do të ndeshet me fituesin e gjysmëfinales tjetër që luhet nesër, Vushtrria - New Basket.