Drenica përforcon sulmin
9 January, 2025 @12:21
Liderja vjeshtore e Grupit A në Ligë të Parë, Drenica, ka përforcuar edhe më ekipin, duke bërë të ditur sot se ka arritur marrëveshje me sulmuesin Armend Gashi.
Lojtari në fjalë së fundi ka qenë pjesë e Feronikelit’74, ndërsa ka luajtur përgjatë karrierës së tij edhe për Prishtinën dhe Trepçën’89. Ai ka nënshkruar marrëveshje deri në fund të këtij stinori me kuqezinjtë nga Skenderaji.
“Sulmuesi kembeshpejtë Armend Gashi, është përforcimi i radhës i ekipit. Ai ka luajtur më parë për skuadrat si Prishtina, Trepça ‘89 dhe së fundmi pjesë e Feronikelit ku pati 13 paraqitje gjatë stinorit vjeshtor.
Gashi ka arritur marrëveshje me klubin deri në fund të këtij edicioni me mundësi vazhdimi dhe tashmë ka nisur stervitjet me skuadrën dhe kësisoj është vënë nën urdhërat e trajnerit Arsim Thaçi.
Gashi me cilësitë e tij, do t’i ndihmoj skuadrës në pranverë për arritjen e objektivit, Superligën!” ka shkruar njoftimi i FC Drenicës sot.
Gashi 23 vjeçar ka pasur 1 gol të shënuar me Feronikelin’74 në Superligë këtë stinor, në 13 paraqitje të tij, ndërsa pozita e tij e preferuar është krahu i majtë i sulmit. Kujtojmë, Drenica nisi stinorin 2024/25 me trajner Megzon Visokën, ndërsa pas tij emëroi Bylbyl Sokolin. Pas ndarjes me Sokolin, klubi nga Skenderaji postin e timonierit ia dha Thaçit.