DRENICA MERR SULMUESIN E PRISHTINËS
Igball Jashari ndahet nga Prishtina, zyrtarizohet te Drenica
8 January, 2025 @17:09
Futbollisti i grupmoshave të reja të Kosovës, Igball Jashari, është ndarë nga Prishtina në Superligë dhe ka nënshkruar marrëveshje me Drenicën në Ligë të Parë - Grupi A.
Njoftimin e kanë bërë të dyja klubet, ndërsa futbollisti 19 vjeçar është parë me fanellë të Drenicës në “Bajram Aliu” duke nënshkruar marrëveshjen me ekipin e tij të ri.
“Më kënaqësi dhe privilegj ju njoftojmë që Igball Jashari, është pérforcimi i radhës i ekipit tonë.
Sulmuesi i familjes emblematike Jashari, do të jetë ‘armë’ shtesë për sulmin e skuadrës tonë.
Jashari është një lojtar i shumë i talentuar, dhe i rrezikshëm për kundershtarët. Ai ishte pjesë e FC Prishtina.
Ai tashmë do të mbrojë ngjyrat kuq e zi, të vendlindjes se tij, dhe për klubin e tij të zemrës nga ku mori hapat e parë si futbollist.” - ka bërë të ditur FC Drenica.
Kuqezinjtë nga Skenderaji janë liderë të Grupit A të Ligës së Parë dhe po kërkojnë rikthimin në Superligë për stinorin 2025/26. Në fund të stinorit vjeshtor ata ndanë rrugët me trajnerin Bylbyl Sokoli, pasi që ky i fundi u fut në garë për deputet në Republikën e Kosovës, derisa ekipi më pas zyrtarizoi Arsim Thaçin si kryetrajner të ri të ekipit. Thaçi, në stinorin e kaluar kishte futur FC Suharekën në Superligë, për herë të parë në histori të këtij klubi.