KAMPIONI PUSHON
Drita pushon në xhirot e para të Superligës
18 September, 2020 @15:27
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, do të pushojë në dy xhirot e para të stinorit, ka bërë të ditur FFK në një komunikatë të lëshuar sot.
Për shkak të angazhimit të ekipit në kuadër të garave evropiane, Dritës i është miratuar kërkesa për shtyerjen e dy dueleve të para të stinorit 2020/21 ndaj Llapit dhe ndaj Trepçës’89.
“Komisioni i Garave ka aprovuar kërkesën e FC Drita që ndeshjen e javës së parë kundër Llapit dhe ndeshjen e javës së dytë kundër Trepçës’89 t’i shtyjë për më vonë për shkak të pjesëmarrjes në garat e Ligës së Evropës,” ka bërë të ditur FFK-ja në njoftimin me shkrim të botuar para pak çastesh.
Drita si kampione e Kosovës, ishte eliminuar në tavolinë në kuadër të Champions League pasi që kaloi rrethin e parë parakualifikues.
Më pas, kaloi në xhiron e dytë të kualifikimeve për Europa League, ku dje eliminoi Sileksin maqedon dhe kështu siguroi vazhdimin e garave, ku tash e pret ekipi i njohur polak, Legia.
E në rast se Drita arrin të befasojë Legian, atëherë në PlayOff do të ndeshet me Qarabagun azer, për të siguruar pjesëmarrjen në fazën grupore të EuropaLigës.