MINCEY
Drita s’i frikësohet askujt
18 October, 2013 @20:34
Drita e cila në tre xhirot e para të Superligës ka regjistruar dy fitore nesër mbrëma pret Trepçën në palestrën Bashkim Selishta - Petriti, të Gjilanit.
Organizatori amerikan, Joe Mincey, që ka treguar lojë të mirë në dy ndeshjet e fundit për gjilanasit në një bisedë të shkurtër me Borozani.com ka treguar se ekipi i tyre është duke u stërvitur me intenzitet më të lartë para ndeshjes ndaj mitrovicasve.
“Ne jemi duke u stërvitur me një intensitet shumë më të lartë tani, ndërsa po punojmë shumë me mbrojtjen dhe qarkullimin e topit,” ka thënë fillimisht organizatori Mincey.
“Mendoj se kemi gjasa të fitojmë. Ata janë një ekip i mirë, mirëpo në fund të fundit ky është basketboll dhe ne japim gjithçka për atë,” ka vazhduar 25 vjeçari amerikan.
Në fitoren e fundit si mysafir ndaj Kastriotit në Ferizaj, Mincey regjistroi 20 pikë, 9 asistime dhe 4 kërcime, ndërsa në fitoren ndaj Besës së Pejës ai kishte bilanc prej 17 pikëve, 5 asistimeve dhe 2 kërcimeve - që tregon se niveli i lojës së tij po ngritet gradualisht.
“Ne nuk i frikësohemi askujt dhe në fund të fundit edhe ata do të duhet të mbrohen nga ne. Mendoj se do të jetë ndeshje shumë e mirë, derisa jemi tejet të fokusuar për ndeshjen e nesërme,” ka thënë në fund Mincey, i cili është njëri nga bartësit kryesor të lojës së gjilanasve të udhëhequr nga trajneri Gyltekin Selimi.
Drita ishte mposhtur në ndeshjen e parë të kampionatit nga Sigal Prishtina si mysafir në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, por me fitore si vendas ndaj Besës arriti të fitojë vetëbesimin e nevojshëm, gjë që i dha edhe fitore në Ferizaj ndaj Kastriotit.
Drita ndeshet nesër me Trepçën e Mitrovicës që së fundmi është përforcuar me Dominique Lacy dhe Jan Orfila. Ndeshja fillon në ora 19:00.