DËNIMET
Drita + Bashkimi = 650 €
13 November, 2013 @23:39
Ndihmës trajneri i Dritës, Arben Bislimi, dy basketbollistët gjilanas, Fisnik Mehmeti dhe Adem Dushica, bashkë me tre lojtarët e Bashkimit Josip Blajic, Bruno Daliu dhe Valentin Spaqi janë dënuar nga FBK-ja për shkak të sjelljeve josportive të tyre në ndeshjen e fundjavës.
Çdo basketbollist është dënuar me nga 100€, derisa Bislimi me 150€, që në total do të duhet t’i paguajnë Federatës 650€ para xhiros së ardhshme nëse dëshirojnë të jenë pjesë e ekipit në ndeshjen tjetër.
E tërë kjo erdhi 4.35 minuta pa përfunduar ndeshja, kur ndodhi një duel verbal mes Dushicës dhe Blajicit, ku u inkuadruan edhe basketbollistët tjerë - ku të gjithë u dënuan me gabim diskualifikues.
Përveç këtyre, Drita është dënuar edhe me një ndeshje pa shikues, për shkak se ata me hudhjen e gjësendëve, në mes të cilave edhe karrige, detyruan gjyqtarët që të zbrazin palestrën nga shikuesit.
Bashkimi arriti ta mposht Dritën në fund me rezultat 82-86, në ndeshjen e stërzgjatur. Drita do të pret lideren e Superligës, Sigal Prishtinën në fundjavë, derisa Bashkimi do të udhëtojë në Karagaç të Pejës për tu përballur me kampionen aktuale të Kosovës.