Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

RAHOVECI - BASHKIMI

Duel i zjarrtë në Rahovec, vreshtarët arrijnë fitoren pas dy vazhdimeve

Duel i zjarrtë në Rahovec, vreshtarët arrijnë fitoren pas dy vazhdimeve


27 March, 2021 @20:55

Skuadra e Rahovecit ka arritur fitore me shumë vështirësi përballë Bashkimit në ndeshjen që u zhvillua në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

Vreshtarëve iu deshën dy vazhdime për të triumfuar në fund me rezultat 102-94.

Pjesa e rregullt e ndeshjes përfundoi me rezultat 80-80, ndërsa në vazhdimin e parë përsëri rezultati u barazua me 88-88.

Vendasit i ndezët motorët pikërisht në vazhdimin e dytë pesë minutësh, derisa mysafirëve nuk u mjaftoi energjia deri në fund për të bërë diç më shumë.

Bashkimi kishte dominim sidomos nën kosh me dyshen Hamati-Oleka, të cilët së bashku kapën gjithsej 34 topa nën kosh, por Rahoveci gjeti kundërpërgjigjen nëpërmjet Darrell Davis i cili shënoi hiç më pak se 8 tripikësha nga loja.

Davis shënoi gjithsej 33 pikë dhe ishte i vetmi që qëndroi në parket për 50 minuta pa u zëvendësuar në asnjë çast. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe dy lojtarët që luajtën me double-double, Ed Daniel që kishte 23 pikë e 10 kërcime, si dhe Altin Morina me 14 pikë e 11 kërcime. Ky i fundit madje ishte afër shifrave triple-double pasi pati edhe 9 asistime.

Në anën tjetër, te Bashkimi u dallua Obinna Oleka me 25 pikë e 19 kërcime dhe Milos Latkovic me 22 pikë, 7 kërcime dhe 8 asistime.

TABELA AKTUALE

Me këtë rezultat Rahoveci ngjitet në krye të tabelës, por me një lojë më shumë se lideri Ponte Prizreni, kurse Bashkimi me humbjen e sontme ia vështirësoi vetes punët në pjesën e poshtme të tabelës.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga