KAPITENI I TREPÇËS MBYLL KARRIERËN
Valdrin Haxhiu pensinohet nga basketbolli aktiv
30 May, 2024 @0:16
Kapiteni i Trepçës, Valdrin Haxhiu, i ka dhënë fund karrierës së tij si basketbollist aktiv sot, përmes një njoftimi të lëshuar në llogaritë e tij në rrjete sociale. Duke falenderuar të gjithë veç e veç, ai gjithashtu ka theksuar se ka qenë privilegj për te të jetë pjesë e ekipit të tij ku edhe nisi karrierën.
“Edhe pse nuk do të jem më në fushë si lojtarë,zemra ime do të jetë gjithëmonë me këtë sport dhe me këtë ekip ,ku nuk e tradhtova as edhe një here të vetme. Shpresoj që të vazhdoj të jem pjesë e botës së basketbollit te këtij qyteti në mënyra të tjera dhe të kontriboj për të ardhmende e klubit tim te që më ka dhënë kaq shumë.
Faleminderit të gjithëve nga zemra. Është përparësi dhe privilegj të kem qenë pjesë e kësaj aventure të jashtëzakonshme me ju.
Përgjithëmone mirënjohës
Kapiteni juaj Valdrin Haxhiu,” ka shkruar në fund të letrës së tij Haxhiu.
Playmakeri 35 vjeçar ka qenë pjesë e Trepçës që prej vitit 2006, ndërsa këtë vit ka pasur shumë pak hapësirë në ekip, ku krejtësisht ka pasur 4 paraqitje për Trepçën në Superligë, por në fund stinorin e ka mbyllur me katër trofe të fituar, pasi që ekipi mitrovicas i drejtuar nga strategu boshnjak Adis Beciragic ka fituar të gjitha garat ku ka marrë pjesë: titullin kampion të Kosovës, Kupën e Kosovës, Superkupën e Kosovës dhe Ligën Unike.