Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

YLLI TREGON DHËMBËT, BARAZON SERINË!

Ylli shkëlqen në pjesë të dytë, kampioni përsëri do të vendoset në “Minatori”

Foto: FBK

Ylli shkëlqen në pjesë të dytë, kampioni përsëri do të vendoset në “Minatori”


19 May, 2024 @18:52

Një pjesë e dytë briliante për Yllin, ka bërë që ekipi suharekas i drejtuar nga Petar Mijovic të fitojë ndeshjen e katërt të serisë finale të playoffit të Superligës 75-71 dhe me këtë ka barazuar serinë në 2-2.

Me këtë barazim, finalja shkon në përballjen e pestë vendimtare ku njëri ekip do të bëhet kampion dhe ajo do të luhet më 23 maj në “Minatori” të Mitrovicës. Edhe në stinorin e kaluar finalja shkoi në përballjen e pestë, ku Peja kishte festuar ndaj Trepçës në “Minatori” për tu bërë kampion.

Trepça kishte epërsi 4 pikëshe pas pjesës së parë të ndeshjes, 29-33. Por, Petar Mijovic kishte fshehur “as”-in nën mëngë për pjesë të dytë, ndërsa ka qenë heroi i fshehur i ekipit suharekas Valon Bunjaku që ka bërë vjedhje topi në momente kyqe dhe kërcime në sulm për të siguruar dallimin në rezultat dhe fitoren e madhe të Yllit për 2-2 në seri me 75-71.

Derisa Alonzo Verge Jr. vazhdoi me pikë, sot 27 të shënuara, bashkë me 7 asistime e 6 kërcime, Bunjaku ka rrëmbyer tre topa e një kërcim vital në sulm, për të treguar anën luftarake të tij dhe për të bërë dallimin në lojë në çerek të fundit, për të shkuar te fitorja.

PLAYOFF SKEMA

Pos Verge, me 15 pikë ka luajtur Jalen Nesbitt ndërsa 11 të tjera i dha Nate Grimes. Bunjaku pos 6 pikëve, bëri edhe 1 asistim e 4 kërcime.

Trepça lojtar më efikas sonte kishte Kevin Capersin me 17 të shënuara, që bëri edhe 6 asistime e 5 kërcime, kurse me 15 pikë, 4 asistime e 6 kërcime luajti Darnell Edge. Vendorët më të dalluar të ekipit mitrovicas të drejtuar nga Adis Beciragic shënuan bashkë 16 pikë, Dardan Kapiti 10, Drilon Hajrizi 4 dhe Mikaile Tmusic 2!

Përballja vendimtare dhe e pestë e serinë finale që do të përcaktojë edhe kampionin e ri të Kosovës do të luhet në “Minatori” të Mitrovicës më 23 maj. Edhe në stinorin e kaluar Trepça ka pasur situatë të njëjtë me 2-2 ndaj Pejës dhe vendimtaren në terren të vetë, por e kishte humbur dramatikisht në sekondat e fundit për tu bërë kampione Peja. Pejën këtë stinor e eliminoi Ylli në gjysmëfinale me rezultat 2-3 në seri.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga