NGA INFORMATORI I FUNDIT I STINORIT 23/24
Nga ndeshja e fundit, Trepçës 700 euro dënim
27 May, 2024 @9:18
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka publikuar edhe Informatorin Nr. 41 që është i fundit për edicionin 2023/24 të garave të Superligës. Trepça fitoi ndeshjen e pestë finale të serisë dhe kështu me rezultat 3-2 u bë kampione e Kosovës.
Ndërkaq, Komisioni i Garave (KG) nga parregullsitë e nxjerra prej raporteve dhe inçizimeve të ndeshjes ka dënuar Trepçën me 700 euro në total.
Ekipi mitrovicas ka marrë dy dënime, 500 euro për mosrespektim të Nenit 51.3 dhe 200 euro për thyerje të Nenit 53.3. Ndërkaq prej dënimeve tjera të shqiptuara, Erjon Kastrati për gabime teknike është dënuar me 200 si dhe Nate Grimes i Yllit me po aq.
Neni 53.3 dënon për “Nëse ndonjëri prej personave zyrtarë paraqitet me veshje të papërshtatshme” ndërsa 51.13 dënon për “Hedhja/ndezja e mjeteve piroteknike në tribuna që vështirëson zhvillimin e ndeshjes”.
Me këtë ndeshje, ku Trepça fitoi dhe u bë kampione, ekipi mitrovicas ka arritur titullin e parë të kampionit që prej stinorit 2011/12, ndërsa këtë edicion kanë fituar secilin trofe kudo që kanë garuar - 4 -.