RIKTHEHET SHPEJT
Valon Bunjaku operohet me sukses
7 June, 2024 @10:24
Basketbollisti prizrenas i Yllit, Valon Bunjaku ka bërë të ditur se ka kaluar me sukses operimin e shuplakës së dorës së majtë, prej së cilës vuante një kohë, ndërsa edhe luante përgjatë stinorit që e lamë pas.
Bunjaku me Yllin arritën finalen e playoffit të Superligës dhe vetëm në ndeshjen e fundit e të pestë të serisë nuk arritën titullin kampion, duke u bërë kështu nënkampionë të Kosovës.
“Pas një ndërhyrje disa orëshe dhe jo shumë e lehtë çdo gjë perfundoje me sukses dhe ndihem shumë mire, po vazhdoje me terapi e rekomandime te mjekut e shumë shpejte do kthehem ashtu siç kam qenë me parë.” - ka shkruar ndër të tjera Bunjaku në njoftim, të cilin e shkroi në llogari të tijën personale të rrjeteve sociale.
Në 38 ndeshje për Yllin në Superligë, playmakeri në fjalë ka pasur mesatarisht 23.5 minuta për ndeshje, duke shënuar 6.4 pikë mesatarisht, 2.2 asistime dhe 3.3 kërcime. Ai është edhe pjesë e reprezentacionit të Kosovës.