JETMIR ZEQIRI ARRIN MARRËVESHJE ME EKIPIN PRISHTINAS
Bora vazhdon me përforcime
4 June, 2024 @22:54
Pas sigurimit të Rezart Memedit, ekipi që do të debutojë në stinorin 2024/25 në Superligë dhe ka trajner më të trofeshmin në Kosovë, Arben Krasniqin, KB Bora ka bërë të ditur sonte se ka siguruar shërbimet e basketbollistit Jetmir Zeqiri.
Zeqiri, që në stinorin e kaluar ka qenë pjesë e Pejës, ndërsa më parë luajti për Prishtinën, ka nënshkruar marrëveshje dy vjeçare me skuadrën e re prishtinase, që do të garojë në Superligë në edicionin që vjen.
“Arrihet marrëveshja dyvjeçare me lojtarin e suksesshëm Jetmir Zeqiri! Jetmiri sezonën e kaluar ishte pjesë e skuadrës KB Peja. Mirësevjen Jetmir! Së bashku drejt sukseseve të reja!” - ka shkruar njoftimi i KB Bora.
Përgjatë stinorit 2023/24 Jetmiri në Superligë ka luajtur 19 ndeshje për Pejën me mesatare prej 18.8 minutave për lojë, ndërsa ka shënuar 7.1 pikë dhe 2.6 kërcime mesatarisht për ndeshje.