E PAPARË NË SUPERLIGË!
Trepça nënshkruan kontratë afatgjate me Mikaile Tmusicin
7 June, 2024 @9:03
Sikur asnjë basketbollist tjetër deri tash në basketbollin kosovar, Mikaile Tmusic ka nënshkruar kontratë 4 vjeçare me Trepçën. Basketbollisti në fjalë që veçse djersiti fanellën e mitrovicasve për dy stinorët e kaluar, ku në stinorin 2023/24 kulmuan duke fituar gjithçka ku garuan, tashmë ka nënshkruar vazhdim 4 vjeçar, gjë që asnjëherë më parë s’i është dhënë t’i nënshkruhet një basketbollisti në Superligë!
Përndryshe Trepça në njoftim për vazhdimin e marrrëveshjes nuk ka dhënë asnjë informatë shtesë, duke postuar fotografinë dhe një “4+” duke nënshkruar kontratën. E Tmusic që tashmë është bërë ikonë e mbrojtjes në basketbollin kosovar, më parë ka luajtur edhe për Bashkimin, Prishtinën dhe Yllin, prej ku edhe u bë anëtar i “minatorëve”.
Me 36 ndeshje të luajtura vetëm në Superligë përgjatë stinorit të kaluar, Tmusic ka qenë mesatarisht 24.6 minuta në secilën lojë, duke shënuar 8.2 pikë për ndeshje, 3 asistime e 3.5 kërcime. I lindur në Pejë, Tmusic është edhe pjesë e pandashme e reprezentacionit të Kosovës në basketboll. Tmusic 31 vjeç me 189 centimetrat e tij duket se do të jetë edhe gjatë pjesë e Trepçës pas nënshkrimit të vazhdimit të kontratës së tij, ndërsa ekipi do të ketë punë të madhe në edicionin që vjen 2024/25 për të mbrojtur të gjitha trofetë që i fituan në stinorin e posa përfunduar 2023/24 - Superkupa e Kosovës, Kupa e Kosovës, Liga Unike dhe Superliga (titulli kampion).