CONSTANTINIDES - PARA NDESHJES
Duhet të jemi seriozë
22 March, 2016 @14:13
Në një bisedë ekskluzive me Borozani.com para ndeshjes së parë gjysmëfinale ndërmjet Beroes dhe Sigal Prishtinës, trajneri i bardhekaltërve ka thënë se Beroe nuk ka arritur me fat në gjysmëfinale.
“Vetë fakti që kemi arritur në gjysmëfinale do të thotë se tash e tutje do të jetë vështirë, në të dy ndeshjet ndaj Beroes. Ekipi bullgar nuk ka arritur këtu me fat, ata janë të rrezikshëm në sulm, ndërsa bëjnë mbrojtje shumë të mirë dhe kanë cilësi e energji në ekip,” ka thënë Constantinides sot për Borozani.com.
“Do të jenë dy ndeshje shumë të vështira për të dyja ekipet dhe do të jetë gabim nga ana jonë nëse mendojmë se është ekip i njejtë sikurse në grup. Beroe është përforcuar tash dhe është ekip më i mirë se në fillim të stinorit,” ka shtuar trajneri qipriot i Sigal Prishtinës.
Antonis Constantinides ende nuk ka pësuar humbje me Sigal Prishtinën prej se e ka marrë detyrën e trajnerit aty. Ndërsa ekipi nuk din çka është humbja në vitin 2016.
“Nëse duam finalen duhet të jemi seriozë dhe të luajmë basketboll të mirë në të dyja ndeshjet. Natyrisht, gjithçka do të jetë më e lehtë për ne nëse arrijmë fitore në ndeshjen e parë, që është edhe synim yni për ndeshjen e së mërkurës në Bullgari,” ka treguar Constantinides.
Sigal Prishtina është kampion aktual i ligës ballkanike. Ata kishin mposhtur Rilski Sportistin në finalen e edicionit të kaluar të BIBL, ndërsa kërkojnë me ngulm mbrojtjen e titullit edhe këtë stinor.