BKT SUPERLIGA

BOROZANI/ Lis Dorambari
Dy derbi në mesjavë
5 March, 2013 @14:34
Xhiroja e mesjavës së BKT Superligës së Kosovës në basketboll do t’i ketë dy ballafaqime interesante. Derbi i parë luhet në Vushtrri ku takohen kampioni aktual Trepça, me pretendentin kryesor për ta rrëzuar nga froni, Pejën.
Realitetet e stinorëve
Ndeshja pritet të ngjallë interesim të madh te adhuruesit e basketbollit, pasi që të dyja ekipet kanë synime të njejta - fitore. Mirëpo realiteti i skuadrave është krejt ndryshe në krahasim me stinorin e kaluar.
Derisa Trepça në stinorin e kaluar 2011/12 kishte mposhtur Pejën dy herë në Mitrovicë dhe dy herë në Pejë, si dhe me rezultat 2-1 kishte kaluar në finale të Play-Offit, këtë stinor po ndodhë e kundërta.
Peja ka shënuar dy herë fitore ndaj Trepçës dhe do të kërkojë edhe fitoren e tretë nesër.
Teleboysat duan befasi
Ndeshje tjetër interesante pritet të jetë ajo ndërmjet Sigal Prishtinës dhe RTV 21. Sigal Prishtina e cila humbi lidershipin pas vetëm një jave në krye të saj, pas disfatës në Karagaç, kërkon këndellje ndaj Teleboysave.
Mirëpo, skuadra e re në Superligë, e organizuar mirë, ka mposhtur dy herë Sigal Prishtinën gjatë përgatitjeve në muajin e kaluar dhe me plotë besim hyn në ndeshje për të befasuar kampionin e shumëfishtë për herë të parë në ndeshje zyrtare.
Skuadrat nuk kanë ndonjë mungesë të theksuar, derisa te Peja mungesat dihen, mirëpo, pritet konfirmimi nëse do të luaj Ersid Ljuca, pas lëndimit, derisa Blerim Mazreku, duhet të presë ende.
Drita kërkon fitore
Në ndeshjet tjera, ekipi i tretë në tabelë, Bashkimi pret skuadrën më të dobët në BKT Superligë, Kosovën e Vushtrrisë, ku pret fitore të sigurtë. Derisa Vëllaznimi do të tentojë për herë të fundit me forca vendore ndaj Dritës së përfocuar mirë, e cila mezi iu dorëzua Bashkimit në xhiron e kaluar. Drita në rast të fitores në Karagaç do ta barazojë bilancin me Vëllaznimin, por do t’i duhet të shënojë fitore edhe njëherë ndaj Vëllaznimit për shpëtim nga Play-Outi. Vëllaznimi tash është i bazuar në forca plotësisht vendore, derisa Drita me treshen amerikane Blackmon-Agomo-Shingles kërkon fitore.
BKT SUPERLIGA, XHIROJA XVII
6 mars, 14:00, Karagaç | Vëllaznimi - Drita | (1-1) përballjet e deritashme | Gjyqtarët: M. Gashi, A. Hoxhaj dhe F. Ramadani |
6 mars, 17:00, Jeton Tërstena | Trepça - Peja | (0-2) përballjet e deritashme | Gjyqtarët: A. Vula, Xh. Mumini dhe D. Mehmeti |
6 mars, 18:00, Sezai Surroi | Sigkos Bashkimi - Kosova Vushtrri | (2-0) përballjet e deritashme | Gjyqtarët: H. Grezda, U. Hasani dhe H. Hasani |
7 mars, 19:30, Pallati i Rinisë | Sigal Prishtina - RTV 21 | (2-0) përballjet e deritashme | Gjyqtarët: H. Zeka, A. Rifati dhe E. Raqa |