RTV 21
Dy Teleboysa të ri
24 October, 2013 @11:47
Dy humbjet e RTV 21-shit në dy xhirot e fundit nga Trepça dhe nga Peja si duket kanë qenë të papërballueshme për krerët e ekipit që stinorin e kaluar ishte senzacion i Superligës.
Kështu, Teleboysat kanë ndarë rrugët me dy basketbollistët e tyre, për t’u përforcuar me dy të tjerë.
Turku Ersan Ozseven që edhe stinorin e kaluar ishte pjesë e RTV 21 u largua nga klubi bashkë me lituanezin Marius Kasilevicius që nuk ‘ndezi’ në Superligë.
E tash, Teleboysa të ri pritet të jenë dyshja amerikane me përvojë nga Skandinavia.
Fundori Keith Gabriel, 190 centimetra i gjatë me 24 vitet e tij do të jetë përforcimi i klubit nga kryeqyteti bashkë me Trey Hamptonin, që luan në pozitën e alos.
Gabriel 24 vjeçar së fundi ka luajtur për skuadrën suedeze Norkkoping, ku në stinorin e kaluar ka pasur mesatare prej 8.1 pikëve për ndeshje, 1.4 asistimeve dhe 2.4 kërcimeve. Gabriel ka përvojë edhe nga kupa europiane Euro Challenge ku është paraqitur në 12 ndeshje për ekipin e tij në stinorin e kaluar.
Përforcimi tjetër, Trey Hampton, është i moshës 26 vjeçare dhe së fundi ka luajtur në Finlandë për skuadrën e Lapuas. Ai ka bërë karrierë edhe në vende tjera europiane si Gjermani, Islandë dhe Rumani, derisa me Lapuan ka pasur mesatare prej 14 pikëve për ndeshje, 2.1 asistimeve dhe 5.7 kërcimeve.
Të dy basketbollistët kanë rastin që të debutojnë ndaj Dritës këtë fundjavë.