CELTICS VS. CLIPPERS
E fundit për Paul Pierce, Bostoni ‘betonon’ vendin e dytë
5 February, 2017 @22:28
Një ndeshje me plot emocione si te publiku ashtu edhe te njëri nga lojtarët në fushë u luajt sonte në ‘TD Garden’ të Bostonit.
Paul Pierce, legjenda e Bostonit dhe njeriu që qëndroi për plot 15 vite te skuadra e Boston Celtics, sonte e zhvilloi ndeshjen e fundit në ‘TD Garden’ si kundërshtar i Bostonit. Pierce, i cili është pjesë e LA Clippers, sonte shpërtheu në lot në momentet kur të gjithë të pranishmit po e brohorisnin emrin e tij. Siç dihet, ‘The Truth’ ishte një nga lojtarët kryesorë të Bostonit në vitin 2008, vit në të cilin kjo skuadër e fitoi titullin e 17 kampion në NBA, titull ky që edhe më tutje mbetet rekord në NBA.
Sa i përket ndeshjes, Celtics ishin më të mirë që nga çereku i parë. Të udhëhequr nga Isaiah Thomas, i cili sonte pati 28 pikë, 8 asistime e 2 kërcime, Celtics e fituan takimin me rezultat 107-102, për ta ‘betonuar’ kështu edhe më tepër vendin e dytë në Konferencën Lindore.
Në anën tjetër, Clippersat momentalisht kanë bilanc 31-20 dhe ndodhen në vendin e pestë në Perëndim.