SHQIP NË BOTË
Edon Maxhuni, ‘freshmani’ i dytë më i mirë i sezonit në Perëndim
12 March, 2018 @15:21
Pas humbjes nga skuadra e Fullertonit në ndeshjen e fundit sezonale, skuadra e Long Beach State nuk ka arritur të kualifikohet për në turneun NCAA.
Ndeshja mes dy skuadrave ishte tejet e fortë, mirëpo në fund suksesit iu gëzua skuadra e Fullertonit, e cila triumfoi me rezultat 76-74.
Edoni, i ndikuar edhe lëndimi në nyje nga dy javë më parë, në këtë duel nuk ishte startues, mirëpo dha impakt të menjëhershëm me t’u inkuadruar në lojë. Në momentin kur Edoni u inkuadrua në lojë rezultati shënonte 24-23 në të mirë të skuadrës së Fullertonit, ndërsa me t’u inkuadruar në lojë, Edoni për 3 minuta arriti 3 pikë, 2 asistime, 1 kërcim dhe 1 vjedhje të topit, për ta rikthyer skuadrën e tij në avantazh 33-24.
Gjithsej, Maxhuni u paraqit vetëm për 7 minuta, kjo ndoshta për mos ta rrezikuar nga përkeqësimi i lëndimit, ndërsa statistikat e lartpërmendura nuk ndryshuan.
Sa i përket statistikave sezonale, nga 33 ndeshjet e sezonit, Edoni ka startuar 21 herë si pjesë e pesëshes së parë.
Me një mesatare prej 8 pikëve, 2 asistimeve e 1.3 kërcimeve për ndeshje, Edoni është zgjedhur ‘freshmani’ i dytë më i mirë i sezonit në ‘Big West Conference’, një arritje kjo fenomenale. Duke qenë koshashënuesi i tretë më i mirë i kolegjit në vitin e tij të parë aty, Edoni është zgjedhur gjithashtu ‘freshmani’ më i mirë i Long Beach State në 4 vitet e fundit, një çmim që gjithashtu e dëshmon faktin që fundori me nënshtetësi finlandeze, i cili tashmë ka pranuar ftesë zyrtare edhe nga Kosova, kaloi një sezon fantastik në vitin e tij të parë në kolegjet amerikane.
Pas përfundimit të sezonit, burime të Borozanit kanë konfirmuar që Edoni do të vazhdojë stërvitjet individuale me trajnerin personal, një nga ish-trajnerët e LA Clippers, ndërsa shumë shpejt do të bëhet e ditur edhe zgjedhja e tij sa i përket përfaqësueses të cilën do ta përfaqësojë.