RISI NË PEJË
Ekipi i parë me dyqan zyrtar
30 December, 2015 @21:08
Lideri i pamposhtur i Superligës këtë stinor dhe fituesi i fundit i Kupës dhe Superkupës së Kosovës në basketboll, Peja, së shpejti do të bëhet me dyqan zyrtar të ekipit.
Kështu adhuruesit e ekipit verdhezi do të mund që të blenë gjëra të ndryshme duke nisur nga fanellat e klubit dhe lojtarëve të ekipit së shpejti.
Njoftimin e ka bërë vetë ekipi pejan përmes Facebookut sot, duke i gëzuar adhuruesit pranë Vitit të Ri.
KB Peja është duke shikuar mundësinë që të shtrij rrjetin si dhe të shes fanellat edhe ‘online’. Gjithçka do të nis si pilot-projekt për të vendosur në ndërkohë me hapat e radhës.
Fanellat e ekipit do të prodhohen nga kompania e veshëmbathjeve Haad, që përndryshe prodhon edhe fanellat e përfaqësueses së Bosnjes dhe Hercegovinës.
Çmimi i fanellave nuk është vendosur ende, pasi që do të jenë produktet e para që do plasohen në treg, ndërsa në vijim, faktikisht prej janarit do të kuptohet më gjërë lidhur me ofertën që do t’i bëj KB Peja adhuruesve.