Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PRIZREN

Filluan përgatitjet për debutuesit

Filluan përgatitjet për debutuesit


1 July, 2025 @13:04

Ekipi i ri prizrenas, FC Prizreni, pas një stinori të suksesshëm në Ligë të Dytë të Kosovës dhe sigurimit të kalimit në Ligë të Parë të Kosovës për herë të parë në historinë e re të tyre, kanë bërë të ditur se sot nisin përgatitjet për edicionin e ri garues.

Për FC Prizrenin, Liga e Parë do të jetë një ambient i ri, pasi që aty do të marrin pjesë si debutues, kurse prej stinorit që vjen 2025/26 Liga e Parë do të jetë e përbashkët dhe jo si në vitet pas pandemike Covid-19, e ndarë në dy grupe.

“FC Prizreni njofton se faza përgatitore zyrtare do të nisë më 1 Korrik 2025, ndërsa një pjesë e skuadrës ka filluar tashmë stërvitjet që nga 23 Qershori, si pjesë e një faze që do të zgjasë deri më 28 Qershor.
Pas kësaj, i gjithë grupi do të jetë i gatshëm për të nisur fazën përgaditore e cila fillon me 1 Korrik.”
— bëri të ditur njoftimi.

Ekipi bardhekaltër nga qyteti i vjetër gjithashtu ka bërë të ditur se ka angazhuar edhe përforcime në ekip, për të rritur cilësinë në skuadër që tashmë do të jetë në një rang më lartë dhe më serioz të garave të futbollit të Kosovës.

“Gjatë kësaj vere, klubi ka qenë aktiv në merkato, duke afruar lojtarë me kualitet dhe përvojë, të cilët pritet të rrisin konkurrencën dhe nivelin e skuadrës. Këto përforcime janë pjesë e një projekti serioz dhe të qëndrueshëm që po ndërtohet hap pas hapi.” — u tha në postimin e ekipit në Facebook.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë