SHQIPËRIA - KAZAKISTANI
Fitore për “finale” dramatike pas 3 ditësh
15 November, 2020 @19:48
Shqipëria ka arritur të shënojë njërën ndër fitoret më të lehta të saj prej vitesh sonte në Air Albania, duke e mposhtur Kazakistanin 3-1 [Cikalleshi 16, Ismajli 23, Manaj 62p - Abiken 24] ku plotësisht dominoi.
Vendosja e lojtarëve në fushë dhe motivi i madh i tyre për të arritur fitoren, bëri që prej minutës së parë kuqezinjtë të sulmojnë dhe golat nuk vonuan.
Ka qenë Sokol Cikalleshi që i dha epërsinë kuqezinjëve në minutën e 16 të ndeshjes, pas një krosimi të bukur të të rikthyerit Ledian Memushaj.
Cikalleshi gjeti pozitën ideale në qendër të mbrojtjes kazake dhe i papenguar nga afërsia me kokë qëlloi portën e Pokatilovit për 1-0. Sulmet vazhduan dhe shpejt, në tollovinë e zonës së kazakëve, Ardian Ismajli zhagas qëlloi për 2-0.
Ky ishte goli i parë i Ismajlit për kuqezinjtë në karrierë të tij.
Por, një befasi e madhe nga qendra erdhi. Derisa kuqezinjtë renditeshin për pozitat e tyre e Kazakistani përgatitej për të nisur nga mesi i fushës, pas pranimit të golit të dytë, syçeli Aibol Abiken pa Etrit Berishën duke qëndruar në pikë të penalltisë dhe me të lëvizur topin nga qendra goditi nga gjysma e fushës për të shënuar për 2-1.
Raste kishte plot, por kuqezinjtë edhe njëherë vërtetuan se një sulmues vrastar i mungon skuadrës, pasi që fitorja do të mund të ishte më e thellë. Në pjesë të dytë, përkundër se Kazakistani nuk ishte pa raste, Shqipëria dukej më e mirë dhe më në lëvizje, posaçërisht me Amir Abrashin në mes, që arrinte gjithkund dhe pikërisht mosdorëzimi i tij për një top, solli edhe penalltinë - që siguroi ndeshjen.
Nga pika e bardhë, Rei Manaj konvertoi për përfundimtaren 3-1.
Me fitore, Shqipëria mban hapin ndaj Bellorusisë kryesuese, të cilën e pret në shtëpi pas 3 ditësh. Me fitore ndaj Bellorusisë, kuqezinjtë do të sigurojnë vendin e parë në grup, opcionin (që duhet pritur) për Botërorin Katari 2020 si dhe Ligën B të Kombeve për edicionin e ardhshëm të saj.