Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ELSEID HYSAJ

Hysaj: Nëse kemi përqëndrim, mund t’ia dalim me lehtësi

Hysaj: Nëse kemi përqëndrim, mund t’ia dalim me lehtësi


23 March, 2021 @16:54

Kombëtarja shqiptare në futboll sot ka organizuar konferencë për shtyp në Andorra, aty ku po zhvillohen përgatitjet për ndeshjen kundër këtij shteti që do të luhet të enjtën më 25 mars.

Në këtë konferencë foli mbrojtësi i krahut të djathë që po luan me skuadrën Napoli, Elseid Hysaj, i cili fillimisht i kushtoi rëndësi nisjes së mbarë në kualifikimet për Botëror.

“Me rëndësi është që ta fillojmë me këmbën e mbarë sepse siç e dimë, ndeshjet e para janë më të rëndësishme sesa ndeshjet më vonë. Kështu që ta nisim mbarë, ashtu siç edhe e lamë në Nations League, që të jemi kompakt siç e treguam edhe në ndeshjet e fundit dhe të vazhdojmë përpara. Kemi më shumë lojtarë që po luajnë ndeshje dhe kanë më shumë minutazh dhe janë në formë më të mirë sesa përpara. Jemi një grup fantastik, kemi edhe ardhje të reja si Bajrami, që mund të na japin një dorë më shumë për të ecur përpara dhe besoj që do fillojmë me këmbën e mbarë”, tha 27 vjeçari.

Më tej, ai foli në veçanti për Nedim Bajramin, përforcimin e ri të kuqezinjve që synon të debutojë që në ndeshjen e parë kundër Andorrës.

“Kam folur me të sepse kemi luajtur edhe kundër tij dhe është një lojtar vërtetë shumë i mirë. Është në një skuadër që ka shumë mundësi të ecë përpara sepse Empoli kërkon që t’i japë sa më shumë mundësi lojtarëve të rinj që të tregojnë veten dhe më pas të kenë mundësi të kalojnë në një skuadër më të fortë. Ai i ka kualitetet dhe i kam thënë që nuk do ketë presion sepse është një qytet i vogël dhe i qetë. Thjesht duhet të tregojë vlerat e veta siç po bën dhe besoj se do gjejë një skuadër të mirë”.

Ndërkaq lidhur me skuadrën kundërshtare të Andorrës dhe pjesë taktike të kësaj loje, ai tha:

“Jemi adaptuar dhe kemi marrë vesh se si duhet të lëvizim në fushë, se si duhet të organizojmë ndeshjen, se si duhet të sulmojmë sepse në fillim vërtetë ishte pak si rrëmujë, si fillim i ri, pasi nuk kemi as kohë. Kemi ardhur dje, sot, nesër dhe pasnesër është dita e ndeshjes. Nuk është koha që të stërvitet skuadra 100%. Kështu që duhet të ketë besim te ne dhe ne besim te trajneri dhe siç thashë, është një grup i vetëm. Nuk kemi shumë ndryshime. Jemi një grup që e kemi kuptuar skemën dhe besoj që është duke ecur mirë tani.”

”Është më mirë kur e njeh një kundërshtar si Andorra, që e dimë të gjithë që poshtë emrit mendojmë se është e lehtë, por në të vërtetë ata janë lojtarë që dinë të luajnë futboll. E dimë të gjithë se futbolli mund të ketë të papritura dhe duhet të jemi ne 100% të përqëndruar që ta bëjmë ndeshjen e lehtë. Në qoftë se do jemi të përqëndruar 100%, ndeshja do jetë më e lehtë, por nëse ne mendojmë se Andorra është një ekip i lehtë, gabojmë dhe mund të kemi pasoja siç patëm në ndeshjet e kaluara ku dolëm barazim me Andorrën.”

Kapiteni kuqezi deri më tani ka 56 paraqitje në ndeshjet zyrtare me Shqipërinë dhe me paraqitjen e radhës do ta kalojë ish mesfushorin legjendar, Ervin Bulkun, i cili po ashtu ka 56 paraqitje me kuqezinjtë.

Ndeshja mes Andorrës dhe Shqipërisë do të luhet më 25 mars në ora 8:45, ndërsa tri ditë më pas më 28 mars do të pritet përfaqësuesja e Anglisë në “Air Albania” të Tiranës. Ndeshjen e fundit të këtij muaji Shqipria e luan më 31 mars në udhëtim kundër San Marinos.


 
Të gjitha lajmet nga