PRISHTINA - BESIKTAS
Kandemir kthehet me fitore
8 September, 2013 @21:17
Trajneri i Besiktasit, Ahmet Kandemir, është kthyer me fitore në Prishtinë pasi e mposhti ish skuadrën e tij, Sigal Prishtinën, e cila drejtohej nga një tjetër trajner turk, Ceyhun Cabadak.
Ndeshja e luajtur në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë filloi me njëdominim të lehtë të turqve, mirëpo kjo nuk zgjati shumë. Prishtina epërsinë e parë në lojë e arriti pranë rezultatit 12-11, ndërsa çerekun e parë e përmbulli në të mirë të saj me rezultat 20-19.
Çerekun e dytë trajneri i Besiktasit, Ahmet Kandimir e filloi me një pesëshe krejtësisht tjetër. Kjo potezë e Kandemirit ndikoi edhe në rezultat, pasi ekipi turk arriti ta kthejë epërsinë në të mirë të saj falë amerikanit Bradley Buckman i cili për një kohë të shkurtë shënoi 8 pikë, prej tyre 3 treshe.
Megjithatë, saktësia afër perfektes e Sigal Prishtinës nga vija e gjuajtjeve të lira (20 pikë nga 22 tentime) dhe pikët e kapitenit Edmond Azemi në sekondën e fundit të pjesës së parë, bëri që kjo periudhë të përmbyllet me rezultat 44-37, ku kjo ishte edhe epërsia me e thellë e prishtinasve deri në ato çaste.
Epërsia 17 pikëshe e Sigal Prishtinës!
Çereku i tretë filloi me dominimin total të Sigal Prishtinës. Madje kryeqytetasit e arritën edhe epërsinë më të lartë në ndeshje prej 17 pikëve, pranë rezultatit 57-40. Mirëpo më pas pasoi një seri e shpejtë 12-0 e Besiktasit dhe epërsia u zvogëlua në vetëm 5 pikë (57-52) me lojën e mirë të amerikanit Chris Lofton, derisa në dhjetëminutëshin e fundit prishtinasit e nisën me rezultat 59-53 në të mirë të tyre.
Seria e Besiktasit vazhdoi edhe në çerekun e fundit të. Bardhezinjtë së pari e barazuan rezultatin në 59-59, e më pas edhe kaluan në epërsi, të cilën e ruajtën deri në fund të ndeshjes.
Të gjithë përveç Granitit e Dardanit
Për Prishtinën në këtë ndeshje luajtën të gjithë basketbollistët që ishin në dispozicion të trajnerit Cabadak, përveç të lënduarve, Granit Rugova dhe Dardan Berisha, megjithëse ky i fundit ishte i përfshirë në formacion.
Chris Lofton i pandalshëm me gjashtë treshe
Koshashënuesi më i mirë i ndeshjes ishte Chris Lofton i Besiktasit me 23 pikë, prej tyre gjashtë trepikësha, kurse te Prishtina më i miri ishte Kendrick Jones me 16 pikë.
Sigal Prishtina dhe Besiktasi nesër do të luajnë edhe një tjetër ndeshje miqësore ndërmjet vete, në palestrën Sezai Surroi me fillim nga ora 19:00.
Koshashënuesit e Sigal Prishtinës
1 | Kendrick Jones | 16 pikë | ||
2 | Blerim Mazreku | 15 pikë | ||
3 | Fisnik Rugova | 9 pikë | ||
4 | Tay Waller | 8 pikë | ||
5 | Alban Veseli | 8 pikë | ||
6 | Edmond Azemi | 6 pikë | ||
7 | Aurimas Kieza | 4 pikë | ||
8 | Muhamed Hasani | 2 pikë | ||
9 | Hamidou Rahman | 2 pikë |
Koshashënuesit e Besiktasit
1 | Chris Lofton | 23 pikë | ||
2 | Bradley Buckman | 14 pikë | ||
3 | Gokhan Sirin | 11 pikë | ||
4 | Muratcan Guler | 6 pikë | ||
5 | Tomislav Ruzic | 6 pikë | ||
6 | Kartal Ozmizrak | 5 pikë | ||
7 | Kevin Foster | 5 pikë | ||
8 | Colton Iverson | 4 pikë | ||
9 | Ryan Broekhoff | 4 pikë | ||
10 | Mehmet Yagmur | 2 pikë |