KAPTENI SHPËTON EKIPIN

Kapiteni Thaqi shpëton Gjilanin nga humbja me një perlë
21 April, 2025 @23:51
Një gol i shënuar nga një kundërsulm i Dukagjinit bëri që ekipi mysafir i drejtuar nga Ismet Munishi të shpresojë për tre pikë në Gjilan. Patën edhe një rast, për të cilën kërkuan penallti, por VAR-i nuk e pranoi atë.
E Gjilani vendas përkundër rasteve ose nuk qëllonte portën, ose shutonte te Margono që “qëllonte” në drejtim të shutit. Deri në momentet e fundit të ndeshjes vazhdoi kështu.
Fauli i bërë në kohën shtesë i kushtoi Dukagjinit. Kapiteni i gjilanasve Armend Thaqi me një perlë nga gjuajtja e lirë barazoi rezultatin dhe siguroi pikën për Gjilanin e Ardian Nuhijit, për përfundimtaren Gjilani - Dukagjini, 1-1 [Armend Thaqi 90’+3—Mërgim Pefqeli 45’+3].
Pas këtij barazimi, gjashtë xhiro para fundit të stinorit, Gjilani është i shtati (zona e shpëtimit) me 39 pikë, dy më shumë sesa Dukagjini, në pozitë të tetë (zona e barazhit). Luftë e madhe pritet të ndodhë në xhirot e mbetura për mbijetesë në Superligë, derisa Gjilani pret Suharekën në xhiron e radhës, kurse Dukagjini Feronikelin’74, të rënë nga Superliga.
Barazim në frymën e fundit falë një super goli nga kapiteni Armend Thaqi, i cili realizoi nga gjuajtja e lirë për ti dhënë një pikë skuadrës.
Ndeshje e dominuar nga minuta e parë e lojës, deri në atë të fundit, mirëpo që nuk ishte e mjaftueshme që skuadra të rikthehet te fitoret. Krijimi i rasteve nisi nga minuta e 12-të e ndeshjes, derisa Blerind Morina gjuajti bukur nga jashtë zonës, por gardiani Cyrus Margoni priti me shumë vështirësi.
Rast ideal për shënim pati kapiteni Armend Thaqi, i cili pasi u shërbye bukur brenda zonës nga Albin Prapashtica në minutën e 27-të të ndeshjes, goditi traversën nga afërsia.
Në momentet më të mira dhe kur skuadra po përgatitjet të shkonte në dhomat e zhveshjes erdhi edhe ndëshkimi. Mërgim Pefqeli realizoi nga afërsia pas një gabimi të mbrojtjes vendase për ta ndryshuar rezyltatin e ndeshjes (0-1).
Dominim sërish edhe në fraksionin e dytë të lojës duke krijuar raste të panumërta për shënim. Senad Jarovic pati dy mundësi tejet të mira shënimi, derisa goditja e parë në minutën e 53-të përfundoi pranë shtyllës, ishte pikërisht shtylla që në minutën e 60-të ia mohoi golin.
Jarovic pati një tjetër mundësi të mirë shënimi në minutën e 67-të, por goditja e tij përfundoi mbi traversë.
Mundësi pati edhe anësori Edi Basa, por goditja e tij shkoi pranë portës.
Skuadra nuk u dorëzua deri në momentin e fundit dhe gjeti golin e barazimit në minutën e tretë shtesë përmes kapitenit Armend Thaqi. Një goditje maestrale nga gjuajtja e lirë përfundoi në këndin e portierit Margonos, i cili ishte spektaktor në njërin nga golat më të bukur të kampionatit (1-1).
Krejt në fundin e ndeshjes nga një mundësi tejet e mirë shënimi iu ofruan Edi Basas dhe Senad Jarovic, por goditjet e dy futbollistëve nuk gjetën cakun.
Ndeshja përfundoi me rezultatin e barabartë, me ekipin që merr barazimin e nëntë në këtë edicion garash.