GATI PËR STINORIN E RI
KB Trepça me bileta vjetore
25 September, 2016 @18:46
Skuadra mitrovicase që do të debutojë në ligën ballkanike këtë stinor, KB Trepça, ka nisur trendin e biletave vjetore për adhuruesit e saj, për stinorin 2016/17.
Përmes një komunikate të drejtuar në adresën tonë, ekipi mitrovicas ka bërë të ditur se ka lëshuar në shitje biletat vjetore për të gjitha si vendas, ndërsa mëposhtë lexoni pa ndërhyrje komunikatën e klubit.
“Pas një kohe relativisht të gjatë KB Trepça nis sezonin e ri garues në shtëpinë e vet, palestrën “MINATORI”, palestër e cila deri në përfundim të sezonit paraprak ka qenë në renovim. Kjo gjendje ka krijuar vështirësi të shumta si për KB Trepça ashtu edhe për të gjitha klubet sportive që aktivitetet e tyre i kanë zhvilluar në “MINATORI”.
Kthimi në “Minatori” për KB Trepçën është mjaft domethënës dhe njëkohësisht mundëson organizim të mirëfilltë të klubit në të gjitha nivelet.
Në vazhdën e organizimit sa më të mirë, KB Trepça ka angazhuar koordinator dhe distributor për shitjen e biletave për sezonin 2016/2017. Për të qenë më afër shikuesve të saj besnik dhe për t’iu ofruar mundësinë të gjithë adhuruesve të basketbollit të përjetojnë nga afër emocionet që krijon atmosfera në “MINATORI”, KB Trepça për sezonin 2016/2017 u ofron shikuesve VIP bileta vjetore. Të gjithë atyre që do të posedojnë një biletë të tillë u mundësohet ndjekja e gjitha ndeshjeve që KB Trepça i zhvillon në “MINATORI” në kuadër të Superligës së Kosovës dhe Ligës Ballkanike(BIBL). VIP bileta do të jetë e personalizuar për çdo individ dhe secili posedues i VIP biletës vjetore do ta ketë të rezervuar ulësen e vet në VIP tribunën.
Duke marrë parasysh interesimin e madh dhe numrin e limituar të VIP biletave vjetore, për ta bërë tuajën biletën vjetore dhe përjetuar VIP eksperiencë, kontaktoni në këta numra telefoni 049 670 680 dhe 044 979 987 (koordinatori i shitjes së biletave Besnik Neziri) ose mund t’i blini në këto pika të autorizuara të shitjes: Kompania e marketingut “UMBRELLA” e cila gjendet përballë postës në Mitrovicë, në “Computer City” dhe “FrapeBar” në Mitrovicë.
Çmimi i VIP biletës vjetore është 100.00 EURO.
Çmimi i biletës vjetore për tribunë është 40.00 EURO.”