EKSKLUZIVE

Do të rikthehemi
18 May, 2015 @10:00
Basketbollisti kosovar arriti që në moshë të re të shijojë Final Fourin e Euroleague.
Kenan Spahiu në një intervistë me Borozani.com ka bërë të ditur emocionet dhe përvojën që u ka sjellë Final Fouri i Euroleague, të cilën ekipi i tij Fenerbahçe e arriti për herë të parë në histori të klubit.
Fenerbahçe përfundoi Final Fourin në Madrid me dy disfata, duke përfunduar në vend të katërt, ndërsa kampion u shpallë organizatori, Real Madrid.
Kenani shijoi të dy ndeshjet nga pak si në gjysmëfinale ndaj Real Madridit ashtu edhe në atë për vend të tretë ndaj CSKA Moskës.
-Cilat ishin pritjet e skuadrës për Final Four dhe sa u realizuan ato?
Spahi: Kemi qenë të përgatitur për të fituar Real Madridin në ndeshjen e parë dhe pastaj të mendojmë për Kupën, por nuk ishte dita jonë ndaj Realit dhe u mposhtëm.
-Çka mësuat si lojtar e ekip në Final Four?
Spahi: Kjo ka qenë hera e parë për ne në Final Four. Aty mësuam se ndeshjet këtu nuk kanë lidhje me ato të fazës grupore. Këtu basketbolli është shumë i ashpër dhe në fund mendoj se Reali e meritoi trofeun.
-Cilat janë sipas jush arsyeja e dështimit të Fenerbahçes në Final Four, nëse mund ta quajmë ashtu, pasi që vetë arritja e Fenerbahçes këtu është sukses i madh për një skuadër turke?
Spahi: Mendoj se mosha e ekipit është shumë e re dhe kjo ka ndikuar sadopak. Final Four ishte një nivel krejt tjetër i garimit dhe kjo eksperiencë, do të na bëj shumë mirë herave tjera.
-Po t’ju kishte dhënë mundësia të luani edhe njëherë ndeshjet e këtij Final Fouri, çka do të kishin qenë ndryshimet?
Spahi: Mbrojtja definitivisht. Shumë-shumë më agresive.
-Sa je i kënaqur me lojën tënde dhe me minutat që iu mundësuan nga trajneri Zeljko Obradovic?
Spahi: Unë kam qenë i gatshëm njejtë sikurse pesëshja e parë. Kam pritur pak më shumë minuta, por gabova në fillim dhe pastaj nuk eci si duhet. Edhe ndeshjen e dytë e fillova në pesëshe të parë, por trajneri nuk më mbajti shumë në lojë. Pas tre ditëve fillon Play-Offi në Turqi dhe trajneri na tha të harrojmë Madridin, e të koncentrohemi në titull.
-Përvoja në Madrid?
Spahi: Këtu nuk është me rëndësi sa faula i keni në lojë. Nëse nevojitet duhet të jeni shumë-shumë të ashpër.
-Kosovari i parë në Final Four të Euroleague…
Spahi: Jam krenar me këtë. Atë që ëndërrova u realizua, tash duhet kërkuar finalen dhe trofeun.
Për fund ai ka falenderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur atë, ndërsa ka bërë të ditur se tifozët e klubit të tij përkundër se i kanë pasur zyrtarisht vetëm 800 bileta për ndeshje, kanë arritur numrin e 5 mijë shikuesve në palestër për t’i mundësuar ekipit që të ndihet si në shtëpi.
“Tash, na pret Berlini 2016. Duhet të realizohet gjithsesi…,” ka shtuar ai në fund.