PETAR MIJOVIC, PAS NDESHJES
Këndellja në çerekun e fundit, solli fitoren
20 April, 2024 @23:20
Trajneri i Yllit, Petar Mijovic, ka qenë i kënaqur me rezultatin e ekipit të tij ndaj Pejës, derisa suharekasit morën epërsinë në serinë gjysmëfinale të playoffit sonte.
Ylli mposhti Pejën si mysafir 84-87, ndërsa komenti i Mijovicit pas ndeshjes ka qenë ky.
“Pjesa e parë ka qenë basketboll i mirë nga të dyja palët. Në çerek të tretë e lamë Pejën të luajë, ata janë tepër të talentuar si ekip. Dhe kur qëndron i butë në mbrojtje, pëson keq. Pas kësaj vendosëm që të shkojmë në çerek të fundit me shumë më shumë agresivitet në top dhe të kontrollojmë kërcimet, veçanërisht kur mbetëm pa Nate Grimesin që bëri 5 gabime personale. Kemi qenë të qetë kah fundi në gjuajtjet e lira dhe dolëm fitues,” tha ai fillimisht.
Kurse, kur u pyet për ndeshjen e radhës - deklaroi se do të jetë gjithashtu duel i vështirë.
“Do të jetë e vështirë ndeshja e radhës, sikurse të gjitha ndeshjet tjera ndaj Pejës. Ne do të përgatitemi për të fituar edhe atë ndeshje, por do të shohim se ç‘do të ndodhë,” ka thënë në fund trajneri malazez i Yllit.