Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

YLLI VAZHDON ME FITORE NË PLAYOFF

Verge shkëlqen, Ylli merr epërsinë me rikthim të madh ndaj Pejës

Verge shkëlqen, Ylli merr epërsinë me rikthim të madh ndaj Pejës


20 April, 2024 @22:17

Një seri e shkëlqyer e Yllit në çerek të fundit të ndeshjes (13-30) për të shënuar fitore dhe për të marrë epërsinë në start të serisë gjysmëfinale ndaj Pejës. Peja edhe pse ishte vendase dhe ka epërsinë e terrenit vendas, nuk arriti të shfrytëzojë këtë në “Karagaç” sonte, ndërsa suharekasit e drejtuar nga Petar Mijovic të udhëhequr nga Alonzo Verge në super-formë kanë siguruar fitoren 84-87 në fund, për 0-1 në seri.

Verge luajti me 32 pikë, bëri 4 asistime dhe 5 kërcime në fitore të madhe të Yllit, që tashmë bart serinë në “13 qershori” për ndeshjen e dytë dhe do të ketë mundësinë që ta zgjerojë atë 4 ditë më vonë. Pos tij, lojë të mirë treguan edhe qendra dhe kapiteni i ekipit Gëzim Morina që dha 17 pikë e Jan Palokaj me 14 të shënuara.

Pjesa e parë e ndeshjes kaloi gati krejtësisht barabartë, me Yllin që mbylli çerekun e parë (22-23) ndërsa çereku i dytë shkoi me (19-19). E kur në çerek të tretë u mendua se Peja po shkon drejt fitores së sigurt pasi që periudhën e tretë e kaloi me (30-15), ajo e fundit shkoi ters për vendasit, me shkëlqimin e lojës së mysafirëve që festuan në fund.

PLAYOFF SKEMA

Te Peja më efikasit ishin Justin Davis dhe Jimmy Hall me nga 22 pikë të shënuara. Davis kreu lojën me 12 kërcime duke e mbyllur ndeshjen me double-double, ndërsa Hallit i mungoi edhe 1 kërcim për double-double. Por, asnjëri s’mjaftoi për të mos lejuar rikthimin e madh të suharekasve në fund. Në fakt, te Peja nuk “ndezën” vendorët sonte, ku më së shumti pikë dha Arian Qallakaj, 9, për afro 30 minuta lojë. Jetmir Zeqiri në 20 minuta lojë bëri 2 pikë, e Musab Mala në gati 14 minuta lojë nuk shënoi fare!

Ylli, formën e mirë që e kapi në ciklin e fundit të stinorit të rregullt, e vazhdoi edhe në playoff - ku ende s’ka pësuar asnjë ndeshje. Suharekasit eliminuan në çerekfinale Bashkimin me 2-0, ndërsa tash morën epërsinë edhe në gjysmëfinale, 0-1!


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga