MVP I SUPERKUPËS 2023
Kevin Bracy-Davis MVP i Superkupës
17 September, 2023 @23:36
Basketbollisti i Trepçës, Kevin Bracy-Davis, është shpallë edhe zyrtarisht nga Federata si lojtari më i rëndësishëm i turneut të Superkupës së Kosovës.
Amerikani 28-vjeçar që ka qenë pjesë e disa ekipeve evropiane para se të bëhet pjesë e mitrovicasve, ka qenë ndër lojtarët më të dalluar të Trepçës në rrugëtimin e tyre drejt trofeut të Superkupës të fituar të dielën në “13 qershori” të Suharekës.
Aloja 203-centimetërshe, Bracy-Davis në ndeshjen çerekfinale që Trepça e fitoi ndaj Bashkimit luajti me indeks efiçence 16, duke dhënë 14 pikë, 2 asistime e 6 kërcime.
Pas kësaj, në gjysmëfinale ndaj Prishtinës ai ngriti performancën me indeksin 30, duke dhënë 25 pikë, 4 asistime e 9 kërcime për ekipin në triumfin që hapi rrugë për finale.
E në finale, Bracy-Davis luajti me indeks efiçence 15, duke dhënë 16 pikë, 3 asistime e 3 kërcime në fitoren dramatike të mitrovicasve, që fituan trofeun të cilin e kërkonin tashmë tre vite.