DUELI I GJIGANTËVE

Foto: KB Peja/ Facebook
Koha për superderbi
28 January, 2015 @14:27
Dy skuadrat më të mira të Kosovës në dy stinorët e fundit, Sigal Prishtina dhe Peja, sonte përballen për herë të tretë në kuadër të stinorit 2014/15.
Prishtina është vendase dhe pret Pejën për të përcaktuar liderin e pastër në tabelë, pasi që aktualisht dy skuadrat kanë bilanc të njejtë, nga 14 fitore e 1 disfatë.
Ndërrimet
Gjatë stinorit vjeshtor, të dyja skuadrat kishin shënuar fitore si vendase, prandaj edhe humbjet e vetme i kanë nga njëra-tjetra.
Derisa Prishtina në ndërkohë ka ndërruar trajnerin dhe ka ndërruar dy të huaj në skuadër për Superligë, Peja ka mbetur ende nën drejtim të Boris Kurtovicit, por gjithashtu ka dy të huaj tjerë në krahasim me vjeshtën.
Përforcimi i fundit i Pejës, Jaleel Nelson, pritet të debutojë sonte në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, vend ky që ka kujtime të mira për amerikanin, i cili këtu kishte ngritur trofen e kampionit të Kosovës me Trepçën, tre stinorë më parë.
Super seria e pejanëve
Përndryshe, Peja ka serinë më të madhe të fitoreve në Superligë këtë stinor, duke mos u mposhtur që nga xhiroja e dytë e Superligës, 13 fitore me radhë.
Sa i përket lëndimeve, Sigal Prishtina, nuk mund të llogaris te qendra Blerim Mazreku, derisa Peja nuk ka ndonjë telash të madh edhe pse Alban Veseli ka një lëndim të lehtë, ai mund të luaj. Ndeshja do të transmetohet drejtëpërdrejtë në Radio Televizionin e Kosovës 1.
Tjetër
Ndeshja tjetër e xhiros së mesjavës që zhvillohet sonte, luhet ndërmjet Yllit në formë dhe Kastrotit të Ferizajit në Suharekë, ku suharekasit presin fitore të radhës së ekipit të tyre, pas dy fitoreve me radhë ndaj Trepçës dhe Bashkimit. E ferizajasit fitoren e vetme në Superligë e kanë regjistruar ndaj Yllit këtë stinor.
Kujtoni ndeshjen: Sigal Prishtina - Peja
Kujtoni ndeshjen: Peja - Sigal Prishtina
SONTE:
19:00 - 13 qershori - Suharekë | Ylli - Kastrioti | Përballjet e deritashme: Ylli 1-1 Kastrioti | Gjyqtarë: Xhavit Beqiri, Isa Prebreza, Ilhan Xhaka. |
20:15 - Pallati i Rinisë - Prishtinë | Sigal Prishtina - Peja | Përballjet e deritashme: Sigal Prishtina 1-1 Peja | Gjyqtarë: Faton Kurshumlija, Daut Mehmeti, Xhelal Mumini. |