RAPORT I GJERË
Kompletohen të kualifikuarit për Eurobasket 2022
22 February, 2021 @23:02
Me sonte janë kompletuar të gjitha skuadrat që kanë siguruar Kampionatin Evropian në basketboll, Eurobasket 2022.
E nisur qysh në vitin 2018 me parakualifikime, ku bënte pjesë edhe Kosova, Kampionati Evropian sonte ka mësuar edhe dy skuadrat e fundit të kualifikuara për ngjarjen më të madhe evropiane të basketbollit, derisa Estonia dhe Lituania kanë qenë dy reprezentacionet e fundit që siguruan garën.
Kosova kishte garuar në fazën e parë parakualifikuese, ku prej shtatorit të vitit 2018 deri në shkurt 2019 kishte përfunduar Grupin B pa asnjë fitore, duke qëndruar e fundit në grup ndaj Maqedonisë Veriore dhe Rumanisë.
Kosova në atë kohë drejtohej nga selektori kroato-boshnjak, Damir Mulaomerovic.
TABELA e GRUPIT B (parakualifikimet faza I)
1. Maqedonia 3-1
-
2. Rumania 3-1
3. Kosova 0-4.
(vetëm vendi i parë, siguronte fazën e radhës kualifikuese për Eurobasket 2022).
Më pas, Kosova u transferua në fazën e tretë, për mundësinë e radhës që të sigurojë një vend në kualifikime. Aty shënoi vetëm 1 fitore, që gjithashtu nuk i siguroi asgjë më tepër se eliminim nga garat.
TABELA e GRUPIT G (parakualifikimet faza II)
1. Britania e Madhe 4-0
-
2. Kosova 1-3
3. Luksemburgu 1-3.
Edhe në këtë fazë, Kosova u drejtua nga Mulaomerovic dhe këtu përfunduan edhe të gjitha shpresat që reprezentacioni i Dardanëve të shkonte mëtutje në fazën e rregullt kualifikuese.
Faza e rregullt kualifikuese për Eurobasket 2022 nisi në shkurt të vitit të kaluar dhe përfundoi sonte.
Ndërsa skuadrat evropiane të ndara në tetë grupe, në fund panë 24-shen përfundimtare që siguroi biletën për Eurobasket 2022.
Nga Grupi A u kualifikuan: Izraeli 5-1, Spanja 4-2 dhe Polonia 3-3, derisa u eliminua Rumania 0-6.
Nga Grupi B u kualifikuan: Italia 4-2, Rusia 4-2, Estonia 2-4, derisa u eliminua Maqedonia Veriore 2-4.
Nga Grupi C u kualifikuan: Belgjika 4-2, Lituania 4-2, Çekia 2-4, derisa u eliminua Danimarka 2-4.
Nga Grupi D u kualifikuan: Kroacia 4-2, Holanda 3-3, Turqia 3-3, u eliminua Suedia 2-4.
Nga Grupi E u kualifikuan: Serbia 4-2, Gjeorgjia 4-2, Finlanda 3-3, u eliminua Zvicra 1-5.
Nga Grupi F u kualifikuan: Ukraina 4-2, Sllovenia 4-2, Hungaria 4-2, derisa Austria u përshëndet me 0-6.
Nga Grupi G tutje shkuan: Franca 4-2, Britania e Madhe 4-2 dhe Gjermania 1-5 (si vendase), derisa Mali i Zi përkundër 3-3 u eliminua pasi që kështu kërkonin rregullat e FIBA Evropës.
Nga Grupi H Bosnja doli e para me 5-1, Greqia me 4-2 dhe Bullgaria me 2-4 shkoi tutje, derisa Letonia mbeti e fundit me 1-5.
Vendase në Eurobasket 2022 do të jenë Çekia, Gjeorgjia, Gjermania dhe Italia, derisa gara do të nis prej 1 shtator të vitit 2022 dhe Evropa do të gjejë kampionin e ri më 18 shtator 2022.