KOSOVA - LITUANIA

BOROZANI/ D.S.
Kosova e pafuqishme për Lituaninë
24 November, 2017 @20:48
Në ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve drejt Botërorit ‘Kina 2019’, Kosova është mposhtur me rezultat 61-99 nga përfaqësuesja e Lituanisë.
Kosova zhvilloi një çerek të parë mjaft të mirë, i cili u mbyll 21-20, ndërsa çereku i dytë kaloi pa shumë pikë të shënuara dhe rezultati pas 20 minutave shënoi 35-35.
Në pjesën e dytë, Lituania startoi me mbrojtje tejet agresive, e cila bëri që Kosova të mos shënojë as edhe një herë për gati 5 minuta lojë, e në anën tjetër lituanezët u treguan efikas në sulm dhe krijuan epërsi 13 pikëshe pas çerekut të tretë. Kjo epërsi u thellua edhe më tepër në çerekun e katërt dhe ndeshja u mbyll me fitoren e Lituanisë.
Marrë parasysh kundërshtarin, mund të thuhet që Kosova zhvilloi një paraqitje solide, sidomos në pjesën e parë, ndërsa ishte pjesa e dytë ajo në të cilën ranë në sy përvoja dhe kualiteti i mysafirëve dhe Kosova pësoi humbje në ndeshjen e parë kualifikuese drejt Botërorit të Kinës.
Më të dalluarit te Kosova sonte ishin Dardan Berisha me 19 pikë, 2 kërcime e 5 asistime dhe Scott Bamforth me 17 pikë, 4 kërcime e 2 asistime, derisa te Lituania u veçua Adas Juskevicius me 16 pikë, 1 kërcim e 5 asistime.
Ndeshjen e dytë Kosova e luan si mysafire e Hungarisë pas 2 ditëve gjithashtu me fillim nga ora 19:00.