EKSKLUZIVE: CHRIS DIAL

Chris Dial (me top), me basketbollistët e përzgjedhur dhe trajnerët vendor që i ndihmuan në punën e tij
Kosova, ka basketbollistë!
6 January, 2015 @15:01
Erdhi në Kosovë, punoi dhe e krijoi bazën e të ardhmes. Amerikani Chris Dial, trajner i njohur në botë për punë me të rinj, është kërkuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës dhe ka arritur marrëveshje që të punojë me basketbollistët e talentuar të vendit.
Puna primare e tij ishte që të bëj përzgjedhje të basketbollistëve që do të jenë bazë e reprezentacionit pas disa vitesh. U mblodhën mbi 200 të rinj nga çdo cep i Kosovës të lindur në vitet 2000-2001.
Në fund, u zgjodhën 20.
Borozani: Nga kush u kontaktuat dhe cila ishte arsyeja që pranuat ofertën nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK)?
Dial: FBK më kontaktoi drejtpërdrejtë, edhepse më parë kisha punuar me trajnerin Dritëro Sefaja në një kamp në Stamboll. E pranova ofertën pasi që ishte një rast shumë i mirë që të vizitoja Kosovën si dhe të punojë me lojtarë të rinj. Ndava entuziazmin e FBK-së për të bërë përzgjedhjen e reprezentacionit që do ta përfaqësojë shtetin.
Borozani: Çka menduat në fillim, pasi që vendosët për pranimin e detyrës dhe sa do të zgjatë kjo punë e juaja?
Dial: Aktualisht, unë jam duke diskutuar detajet e marrëdhënies së punës me FBK-në. Jam tejet i entuziazmuar me mundësinë dhe shpresoj që të më mundësohet që të ndihmojë zhvillimin e këtij ekipi dhe basketbollit në tërësi në vendin tuaj.
Borozani: Erdhët në Kosovë. I kishit mbi 200 të rinj që aplikuan të punojnë me ju. Si i menaxhuat gjithë këta të rinj dhe i patë cilësitë e tyre brenda disa ditëve për të përcaktuar 20 lojtarë më të mirë për të ardhmen?
Dial: Kam qenë me fat që kam pasur në dispozicion një palestër të madhe dhe 4 trajnerë nga Kosova që më kanë ndihmuar në procesin e selektimit. Kemi punuar nga 6 orë në palestër duke vrapuar dhe duke i futur lojtarët në seri të stërvitjeve fundamentale, që na dhanë mundësinë për t’i vlerësuar ata dhe për t’i përcaktuar aftësitë e tyre. Së pari bëmë ndarjen në 40 lojtarë. Pastaj ata i futëm në skenarin e një loje, për t’i parë aftësitë dhe talentin e tyre. Selektimi i tyre ka qenë efiçient dhe ne jemi tejet të kënaqur me grupin që kemi përzgjedhur.
Borozani: Çka ka qenë ajo gjë, që keni gjetur te këta 20 lojtarë dhe ju ka bërë të thoni: “Ky është ai”
Dial: Lojtarët e zgjedhur, jo vetëm që treguan njohuri për stërvitjet fundamentale, por ata ishin në gjendje që t’i zbatojnë ato edhe në lojë. Ne i shikuam edhe elementet tjera natyrisht, si për shembull përqëndrimin e tyre, etikën e punës që e treguan, madhësinë fizike, fuqinë dhe shpejtësinë.
Borozani: Çka do të duhet të bëjnë këta djem në muajt/vitet e ardhshme?
Dial: Lojtarët do të nisin stërvitjet/punën menjëherë për tu përgatitur për garë. Ata jo vetëm që do të kenë stërvitje ekipore, por edhe individuale dhe në grupe më të vogla duke shtuar këtu edhe sesionet e stërvitjeve fizike. Ata do të bëhen më të mëdhenjë, më të shpejtë, më të fuqishëm dhe më të mirë, ashtu që të garojnë në nivelin më të lartë të basketbollit.
Borozani: Çka mund të pres Kosova në të ardhmen nga të rinjtë, në bazë të asaj që ju patë?
Dial: Kosova ka çka të presë dhe përse të emocionohet. Këta djem janë përfaqësues shumë të mirë të shtetit dhe kanë të gjithë potencialin e duhur për basketbollistë. Kur e them këtë, duhet të kemi parasysh se tash e tutje duhet të bëhet punë e madhe, dedikim, disciplinë ashtu që të shohim ndonjërin nga rezultatet që dëshirojmë të shohim. Duket se ka përkrahje të madhe nga shteti dhe komuniteti, që do të jetë rëndësi e veçantë për suksesin e tyre.
Borozani: Diçka tjetër që ju përshtypje këtu, ajo që vlen të dihet për basketboll ose në përgjithësi, si kaluat këtu?
Dial: Kam pasur përvojë të jashtëzakonshme sa isha në Kosovë. U kënaqa duke punuar jo vetëm me lojtarët, por edhe me 4 trajnerët gjithashtu. Kam qenë i impresionuar me anëtarët e FBK-së që i takova, duke filluar nga kryetari Erolld Belegu. Federata dhe punonjësit e saj ishin tejet të interesuar dhe jashtëzakonisht të pasionuar për të bërë një mision të suksesshëm basketbolli, ashtu që të realizohet një program i suksesshëm basketbollistik.
Dial në ditët sa qëndroi në Kosovë gjatë përzgjedhjes së 20-shes që do të vë themelet e reprezentacionit të së ardhmes, punoi me 4 trajnerë vendorë. Ata ishin: Dritëro Sefaja, Edon Godeni, Fidan Shatri dhe Petrit Zeqiri.
E djelmoshat, tash e tutje duhet të punojnë në drejtimin e duhur, me të cilët pritet të krenohemi në të ardhmen e afërt.