EKSKLUZIVE: VISAR XHEMAJLI

Foto: KB Kastrioti/ Facebook
Nixha, plotëson pozitën kyqe
5 January, 2015 @18:22
Kalimi i Jeton Nixhës nga Vëllaznimi te Kastrioti në pushimin e gjysmëstinorit basketbollistik, mund të konsiderohet befasi më e madhe deri më tani e këtij stinori.
Sidoqoftë, në një bisedë me trajnerin e deritashëm të ekipit ferizajas, Visar Xhemajli, ky i fundit ka thënë se Jeton Nixha do të plotësojë pozitën kyqe te Kastrioti.
Jeton Nixha do të plotësojë pozitën kyqe te Kastrioti
“Ardhja e Jeton Nixhës ka plotësuar një hapësirë shumë kyqe në ekip. Shfrtyëzoj rastin që ta falenderoj publikisht që më në fund ka pranuar të vijë te Kastrioti,” ka thënë fillimisht Xhemajli, duke konfirmuar kështu trajnerin e ri të ekipit që po lufton për mbijetesë këtë stinor.
“Ai do të ketë përkrahjen maksimale të kryesisë së klubit dhe timen gjithashtu, ku do t’i pranë gjithnjë për të arritur suksese me ekipin e Kastriotit,” ka shtuar Xhemajli në bisedën e tij ekskluzive me Borozani.com
Duke qenë se Xhemajli la basketbollin për shkak të një lëndimi në fund të stinorit të kaluar, ai iu gjet në ndihmë ekipit të tij këtë stinor duke pranuar pozitën e trajnerit.
Gjithnjë pranë Kastriotit
Për më tepër ish kapiteni i ekipit ferizajas, Xhemajli, ka thënë se gjithmonë do të jetë pranë klubit dhe në çfarëdo mënyre që i lejohet do t’i kontribuojë ekipit.
“Shumë herë kam deklaruar se do të jem pranë Kastriotit gjithmonë, në një mënyrë apo tjetër. Gjithçka çka duhet bërë për avancimin e klubit, do ta bëj. Njëra ndër ‘to është edhe ardhja e Nixhës aty,” ka vazhduar ish trajneri i ferizajasve.
“Tash e tutje, roli im është që të jem sa më afër ekipit. Dëshira ime është të jem më pak i angazhuar në pjesë operative, por gjithsesi aty do të jem kurdo që ka nevojë Kastrioti për mua,” ka përfunduar sqarimin e tij Xhemajli, që ka bërë shumë për Kastriotin si basketbollist, kapiten i skuadërës, së fundi trajner dhe tashmë edhe pjesë e stafit organizativ të klubit.
Lufta për mbijetesë
Kastrioti është renditur në vend të fundit të tabelës së klasifikimit të Superligës gjatë pjesës vjeshtore të kampionatit.
Ata kanë arritur të shënojnë një fitore të vetme gjatë kësaj periudhe dhe kanë bilanc 1-13 pas 14 ndeshjeve të zhvilluara, duke arritur të mposhtin vetëm Yllin e Suharekës.
Në anën tjetër, Jeton Nixha, njihet si trajner principiel dhe pritet të riformatojë punën te Kastrioti për të shpëtuar edicinion 2014-15 me mbijetesë.
Nixha para se të vijë te Kastrioti ka qenë trajner i Vëllaznimit, ndërsa vite më parë ka drejtuar edhe Bashkimin e Prizrenit, me të cilët ka arritur finalen e Play-Offit.