NORVEGJIA - KOSOVA

Fotot: FIBA
Kosova nis me humbje!
25 November, 2021 @21:03
Kosova ka pësuar humbje në duelin e parë parakualifikues për Eurobasket 2025 ndaj Norvegjisë në Bergen, në një ndeshje ku vendasit shkëlqyen në çerek të dytë dhe të tretë, për të bërë të pamunudur rikthimin e Kosovës në fund.
Basketbollistët e Norvegjisë kanë kaluar me lojë të mençur Kosovën sot, për të fituar 86-77 [17-22, 25-11, 27-19, 17-25] në fund dhe për t’iu rikthyer basketbollit garues pas dekadave me fitore!
Gabimet e shumta në çerek të dytë dhe të tretë i kushtuan Dardanëve, që nuk mund të ankohen në përkrahje, pasi që bashkatdhetarët kishin mbushur pjesën e tyre në palestër dhe përkrahën ekipin pa ndërprerje.
Ndoshta treguesi më i mirë i ndeshjes janë asistimet e përgjithshme, ku Norvegjia përfundoi lojën me 28 asistime e Kosova me 11! Ecuria e mirë në fillim të ndeshjes për të përzgjedhurit e Christos Marmarinosit nuk vazhdoi më tej dhe kështu ata në fund pashmangshëm, u mposhtën!
Pas tre ditësh, Kosova pret Danimarkën në Prishtinë.
Sa i përket lojtarëve, Dardan Berisha ishte më efikasi, por edhe me 5 topa të humbura në lojë. Berisha shënoi 18 pikë e 4 asistime në ndeshje, ndërsa Muhamedali Janjeva u dallua me luftë për secilin top ndërsa dha 16 pikë, njëjtë sikurse Erjon Kastrati që shtoi edhe 3 asistime në llogari të tij.
Norvegjezët me selektorin e tyre Mathias Eckhoff luajtën mençur, duke shpërndarë pikët, ndërsa theks të veçantë ndeshjes i vunë Chris Ebou Ndow, që luajti me 19 pikë e 8 kërcime si dhe Karamo Jawara që ishte ndër më të dalluarit e lojës me 16 pikë, 7 kërcime e 7 asistime.
Norvegjia kështu udhëheq grupin me bilans 1-0, ndërsa Kosova bëhet me 0-1. Për Kosovën, ecuria negative e rezultateve ka vazhduar, pasi që në kualifikimet e fundit pas dy fitoreve të para kishte regjistruar katër humbje radhazi dhe tash vjen e pesta!