EKSKLUZIVE
Ku tenton të arrijë Besa në stinorin e ri të Superligës?
Intervistë me kreun e KB Besa, Arbër Elshani;
8 August, 2014 @9:30
Besa që stinorin e shkuar regjistroi fitore të rëndësishme në Superligë duke mbetur pjesë e saj si ekip debutues, këtë stinor synon Play-Offin.
Kreu i kësaj skuadre, Arbër Elshani, mendon se ekipit të tij do t’i duhen maksimalisht 2 të huaj për të krijuar ekip stabil, derisa me forca vendore mendon t’i bëj ballë të tjera skuadrave.
Fabian Gjuka mbetet trajner
Fabian Gjuka, që morri drejtimin e ekipit pas largimit të Boris Kurtovicit nga Besa, do të vazhdojë të mbetet trajner i skuadrës - derisa përgatitjet klubi i dytë pejan në Superligë do t’ia nis më mesin e këtij muaji.
Borozani.com ju sjell intervistën e radhës me përgjegjësit e skuadrave të Superligës, para stinorit të ri.
Përgatitjet nisin javën tjetër
-Në çfarë faze është ekipi juaj te përgatitjet parasezonale?!
Elshani: Pas mbledhjes së Bordit, klubi ynë vendosi që përgatitjet për edicionin e ri të fillojnë më 15 gusht dhe kjo datë mendoj se do të na gjejë të përgatitur për t’i ofruar të gjitha kushtet për lojtarët dhe anëtarët tjerë të klubit.
-Do të vazhdoni me Fabian Gjuken trajner, apo keni plane tjera për stinorin e ri?
Elshani: Po, Fabian Gjuka do të vazhdojë të mbetet trajner i Besës. Ai ka arritur sukses me klubin stinorin që shkoi dhe ai ka besimin e plotë të ekipit.
Edhe 2 të huaj për sukses
-Cilët lojtarë i keni me kontrata dhe sa lojtarë duhen përafruar te Besa para nisjes së stinorit të ri?
Elshani: Arti Hajdari, Beqë Kovaqi, Blendi Matoshi, Arti Bobi dhe Denis Kullashi janë lojtarë që i takojnë Besës me kontratë të vlefshme dhe të protokluar në FBK. Ata kanë mbajtur barrën kryesore të ekipit stinorin që shkoi, e ekipi është krenar që ka lojtarë të tillë në skuadër. Sa i përket përafrimeve tjera, Besa është afër të zyrtarizojë edhe 6 lojtarë vendor dhe 2 të huaj, që mendoj se do të krijojnë ekipin komplet për edicionin e ri të Superligës.
-Synimet e klubit për stinorin e ri?!
Elshani: Synimet e Besës janë të përqëndruara në Kupën e Kosovës dhe Play-Off. Mirëpo, edhepse ia kemi vënë vetes këtë qëllim, gjithsesi do të varet nga rezultatet dhe këto mund të ndryshojnë.
S’ka hapësirë për lojtarët vendor
-Për tifozët, lojtarët apo basketbollin në përgjithësi…
Elshani: Jam i lumtur që pas 2 viteve kemi arritur që Besën ta shndërrojmë në ekip ashtu si duhet. Kemi sjellë sponzorë seriozë dhe jemi të kënaqur me marrëveshjet e arritura. Sa i përket basketbollit mendoj se dëm të madh po i bën kreu i FBK-së, Erolld Belegu, ku jemi duke parë një ngulfatje dhe privatizim të basketbollit, ku gjithnjë e më shumë po i zvogëlohet hapësira lojtarëve vendorë. Përndryshe, i përshëndes të gjitha klubet që me gjithë vështirë po punojnë për të mirën e basketbollit duke i dëshiruar suksese në stinorin e ri.