SERIOZISHT QË NGA MINUTA E PARË
Kujdesshëm, për fitore
23 November, 2015 @19:52
Njëri ndër basketbollistët më të dalluar të Pejës këtë stinor, Alban Veseli, është treguar i kujdesshëm në deklarata para përballjes ndaj Bashkimit në kuadër të BIBL.
Veseli, ka thënë se Peja do të mobilizohet mirë për këtë ndeshje, që të mos befasohet edhe njëherë nga ekipi prizrenas.
“Si në çdo ndeshje në BIBL, edhe ndaj Bashkimit duhet të hymë seriozisht. Jemi të vetëdijshëm se Bashkimi është ekipi i vetëm që na ka mposhtur këtë stinor, prandaj duhet të mobilizohemi nga minuta e parë,” ka thënë fillimisht Veseli në prononcimin e tij para ndeshjes për faqen zyrtare të FBK-së.
“Bashkimi ka skuadër të fortë dhe cilësore. Ne duhet të kemi kujdes të madh. Hymë në ndeshje për të fituar dhe për të vazhduar ecurinë pozitive para tifozëve,” ka shtuar në fund Veseli.
Peja këtë stinor ka kapur një formë të mrekullueshme. Ekipi në nismë të stinorit ka fituar Superkupën e Kosovës. Më pas ka kapur lidershipin në Superligë, ndërsa tani ka edhe vendin e parë në Grupin B të BIBL.