I KTHEHET KOLEGJIT
Largohet edhe Jaren Sina
16 September, 2016 @8:42
Playmakeri Jaren Sina nuk do të jetë pjesë e Kosovës në ndeshjen e fundit kualifikuese të Kosovës ndaj Bullgarisë.
Sina, 22 vjeç, është kthyer në ekipin e tij George Washington të NCAA për shkak të obligimeve, ndërsa Kosova i ka dhënë leje për një gjë të tillë.
Përveç Sinës, edhe Doellman nuk do të jetë pjesë e Kosovës në këtë ndeshje, pasi që është kërkuar me urgjencë nga Barcelona për shkak të ndeshjes së Superkupës së Spanjës.
Sina ka regjistruar 4 paraqitje me Kosovën në 5 ndeshje kualifikuese. Ai ka pasur mesatarisht 30 minuta për lojë, ndërsa ka kontribuuar me 6 pikë, 3.3 asistime dhe 2 kërcime për ndeshje.
Një gjë të tillë e ka përjetuar ditë më parë edhe Sllovenia, që mbeti pa Zoran Dragicin, i cili u kërkuar nga ekipi për përgatitje para stinorit të ri.
Kosova nesër mbrëma me fillim nga ora 20:00 në “Minatori” të Mitrovicës pret Bullgarinë në duelin e fundit kualifikues për Eurobasket 2017.
Kosova ka humbur mundësitë për kualifikim dhe do të luaj për të shijuar fitoren e parë në një ndeshje zyrtare garuese, prej se u bë pjesë e FIBA-së.