KOLUMNE
Vizita turistike e Vilniusit
Shkruan: Blerim MYFTIU
14 September, 2016 @20:58
Pas katër humbjeve dhe shuarjes së gjasës matematikore për kualifikim në Eurobasketin e vitit të ardhshëm, ndeshja kundër Ukrainës dhe zhvillimi i saj në terren “neutral” për arsye politike u shndërrua në një aktivitet sportiv të mërzitshëm, pa shije dhe në fund doli të jetë zhgënjyes për ne spektatorët dhe vizitë turistike për stafin dhe lojtarët.
Një ndeshje e tillë është vështirë edhe të vlerësohet dhe analizohet çerek për çereku apo minutë pas minute, sepse kryekëput nuk kishte një koncept të lojës. Ndeshja dukej se ishte humbur që në Mitrovicë para 4 ditësh, kur pas një beteje të mirë 30-minutëshe kundër më të fortës së grupit, Sllovenisë, në çerekun e katërt na u shter energjia, përkatësisht doli në pah fuqia e sllovenëve. Me atë humbje u shuan shpresat dhe gjasat për kualifikim, prandaj sikur kjo ndeshje e sotme, rrezikon të jetë edhe ajo e fundit, kundër Bullgarisë në Mitrovicë.
Filluam pa vullnet, thjesht. Nuk e kishim pikën e angazhimit në mbrojtje, prandaj ukrainasit i renditnin kërcimet ofensive një pas një dhe qendra Fesenko, i cili u ndal për mrekulli në Mitrovicë, u shndërrua në yllin e minutave të para. Ndihma nën kosh arrinte me vonesë, ukrainasit gjuanin pa pengesë për 2 dhe 3 pikë. Kësisoj, të relaksuar gradualisht edhe me epërsinë e lartë, ukrainasin gjuajtën nga loja me precizitet rreth 50%. Në fund, qendrat Fesenko dhe Kravtsov ishin ndër më efikasët e ndeshjes, me nga 16 pikë përkatësisht.
Pata cekur në vlerësimin e ndeshjes së fundit se Jaren Sina nuk dukej një zgjidhje e kënaqshme në pozitën e organizatorit. Ai mungoi sonte dhe do të mungojë edhe në fundjavë. Leonard Mekaj është energjik, mundohet në mbrojtje, por nuk mund të llogaritet (së paku ende) si playmaker bartës i përfaqësues. Nuk ka pothuajse fare kontribut në sulm. Sikur që nuk ka as Mirza Ahmetbasići.
Edhe në ndeshjen e parë, në momentet kur rezultati shkonte ngushtë, ukrainasit patën ushtruar presion në tërë fushën, që prej futjes së topit në lojë. Kohë pas kohe kishte rezultuar edhe me humbje topash nga ana jonë. Edhe në këtë ndeshje, sidomos në çerekun e parë, Ukraina e aplikoi të njëjtën strategji dhe nuk lejoi kurrsesi të organizoheshim. Dardan Berisha luajti një çerek dëshpërues pa shënuar asnjë pikë. Kurse, Drilon Hajrizi, dukshëm pasiv, insiston që ta mbajë topin, shumë shpesh, më tepër se sa që duhet. Kjo i ndihmon me gjasë edhe shpjegimit se nuk kemi një shabllon të qartë sulmues, një organizator të mirëfilltë, sipas të cilave skema do të krijohej hapësira për gjuajtjet e Hajrizit dhe të tjerëve lojtarë të jashtëm.
Çereku i parë në disfavor tonin prej 11:30 ishte edhe treguesi i tërë lojës, i pafuqisë dhe i paangazhimit tonë. 17 pikë shënuam në çerekun e dytë, kurse në të tretin vetëm 8! Pasi që jemi ekip i shkurtër, kërcimet natyrisht se paraqesin problem. Raporti 18 me 6 në kërcimet me sulm dhe 40 me 15 në kërcimet në mbrojtje (gjithsej 58 me 21) në favor të Ukrainës, është më se shpjegues për diferencën e pikëve që kundërshtarit automatikisht i jep nja 20 pikë epërsi. Kjo epërsi shtohet edhe më tepër kur shënohet 6 nga 25 gjuajtjet për 3 pikë dhe 16 nga 42 gjuajtjet për 2 pikë.
Do të jetë edhe më i vështirë motivimi i lojtarëve për ndeshjen e fundit në Mitrovicë, kundër Bullgarisë. Mirëpo, mobilizimi i radhëve dhe vullneti për lojë, së paku përpjekja, duhet të jetë domosdoja për të shënuar fitoren e parë zyrtare të Kosovës.