Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MENJËHERË VJEN ZËVENDËSIMI

Leon Gilmore III zëvendëson Alan Wigginsin

Leon Gilmore III zëvendëson Alan Wigginsin


13 January, 2023 @11:08

Skuadra e Ponte Prizrenit me të kuptuar që Alan Wiggins nuk do të mund të jetë i gatshëm për lojë pas operacionit që kaloj, ka gjetur menjëherë zëvendësimin e tij.

Në njoftimin e lëshuar mbrëmë, KB Prizreni ka bërë të ditur se ka angazhuar amerikanin Leon Gilmore III, që ka luajtur në disa liga të basketbollit evropiand dhe jo-evropian.

“Pas konfirmimit të stafit mjekësor se basketbollisti Alan Wiggins nuk do të mund të paraqitet për skuadrën, skuadra u përkujdes që ta zëvendësojë atë me Leon Gilmore III,” ka bërë të ditur ekipi bardhezi nga Prizreni.

Leon Gilmore III

Basketbollisti 27-vjeçar ka kaluar tri stinorë në NCAA duke qenë pjesë e Creighton Bluejays dhe Stephen Austin Lumberjacks. Gjatë stinorit 2018/19 luajti në Jekabpils të Letonisë, për t’iu rikthyer basketbollit tejoqeanik. Së fundi, ka qenë pjesë e ekipit meksikan Guaymas, ku ka pasur mesatare prej 30 minutash për lojë, duke shënuar 9.6 pikë për ndeshje, 6.3 kërcime dhe 3.8 asistime.

“Gilmore III ka përvojë në G-League, Letoni dhe Meksikë. Ai do të mund të debutojë të shtunën me ekipin, nëse i kompletohet dokumentacioni,” ka shtuar KB Prizreni, duke i uruar mirëseardhje lojtarit.

Prizreni përndryshe është në seri negative prej gjashtë ndeshjes me humbje radhazi. Ekipi ka rënë në pozitën e parafundit të renditjes tabelare. Trajneri Arbnor Rifati u largua pak para fundit të vitit që lamë pas, ndërsa atë e zëvendësoi Edin Kërveshi. Ky i fundit ende nuk ka korr fitore si kryetrajner i ekipit me bardhezinjtë.

Në fundjavë, Prizreni pret kampionin aktual të Kosovës, Yllin, që është në seri prej 12 fitoresh radhazi.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga