PLAY OUT: LIPJANI - VËLLAZNIMI
Lipjani shpëton sezonin, mbetet në Superligë!
27 April, 2019 @20:48
Pas ndeshjes së parë në Gjakovë që u mbyll me fitore 74-71 të Vëllaznimit, takimi kthyes i luajtur sonte në Lipjan ka përfunduar me rezultat 87-77 në të mirë të vendasve, me ç‘rast skuadra e Lipjanit e ka fituar Play Out-in dhe ka arritur të mbetet të paktën edhe për një sezon në Superligën e Kosovës në basketboll.
Gjakovarët ishin më të mirë në çerekun e parë të ndeshjes, të cilin e mbyllën me epërsi 20-22, mirëpo skuadrat në pushim mes pjesëve shkuan me epërsi 10 pikëshe të vendasve. Nën udhëheqjen e Musab Malës, i cili vetëm në pjesën e parë shënoi 30 pikë, Lipjani shkoi në pushim me epërsi 10 pikëshe, 46-36.
Më pas, epërsinë e krijuar pas pjesës së parë Lipjani e menaxhoi mirë deri në fund të ndeshjes dhe arriti që ndeshjen ta mbyllë me 10 pikë epërsi, 87-77, pra me më shumë pikë epërsi sesa që Vëllaznimi e kishte fituar ndeshjen e vet në Gjakovë dhe në këtë mënyrë pjesë e Superligës sezonin e ardhshëm do të jetë Lipjani.
Me 38 pikë, 7 kërcime, 3 asistime e 1 top të vjedhur, Musab Mala ishte fantastik në fitoren e Lipjanit, derisa te Vëllaznimi sonte u veçuan Edmond Kryeziu me 26 pikë dhe Atik Koshi me 23.
Me Lipjanin që edhe sezonin tjetër do të jetë në Superligë, Vëllaznimi në anën tjetër të paktën edhe për një vit do të garojë në Ligën e Parë.