MAQEDONI
Liria e pafat në fund
9 February, 2014 @19:18
Skuadra e vetme shqiptare nga elita e basketbollit maqedonas, Liria, ka humbur rastin për ta ngritur Kupën e Maqedonisë për herë të parë në historinë e saj.
Ekipi i udhëhequr nga trajneri maqedon, Marjan Ilievski, u mposht në finale me rezultat të ngushtë 76-73 nga MZT-ja e Shkupit, në një ndeshje me përfundim mjaft dramatik.
Liria gjatë gjithë takimit ishte në disavantazh, madje deri në 20 pikë (56-36) në çerekun e tretë, por në çastet e fundit të takimit epërsia e MZT-së u shkri në minimum (74-73).
Megjithatë me saktësinë nga vija e gjuajtjeve të lira e lojtarit me përvojë, Todor Gecevski, MZT në fund triumfoi me rezultat 76-73.
Gecevski, së bashku me Bojan Trajkovskin e Lirisë ishin koshashënuesit më të mirë të ndeshjes duke shënuar nga 16 pikë secili.
Liria deri në finale të Kupës, që u organizua në qytetin e Ohrit, kishte arritur duke e mposhtur në çerekfinale Karposin me rezultat të thellë 98-65 dhe në gjysmëfinale kundërshtarin e ardhshëm të Pejës në Ballkan Ligë, Kumanovën, me rezultat 73-81.