DANIEL LUTZ
Çelësi i fitores, mbrojtja
6 February, 2014 @15:45
Trajneri kroat i Pejës, Daniel Lutz, pas ndeshjes dhe fitores së madhe të Pejës ndaj nënkampionit të Balkan League, Levski, ka thënë se çelësi i fitores ka qenë mbrojtja.
”Çelësi i fitores ka qenë mbrojtja. Levski ka individë shumë të mirë në ekip, dy bullgarët janë me të vërtetë të mirë, gjithashtu edhe amerikani si dhe Micic. Për t’i ndalur ata duhesh të bësh mbrojtje të hatashme,” ka thënë fillimisht Lutz pas fitores së Pejës, transmeton faqja zyrtare e BIBL.
“Ne kemi bërë mbrojtje të mirë, si dhe kemi luajtur lojë ekipore në sulm, duke e qarkulluar mirë topin. Pashë vetëbesim te lojtarët e mi dhe kjo është më e rëndësishmja për çdo trajner,” ka thënë më tej ish trajneri Cibonës, që po kalon stinorin në Pejë.
“Ne e kemi përgatitur veten ashtu që mos t’i lëmë ata të shënojnë, por të mundohen kur duan të shënojnë. Kjo ka qenë mbrojtja jonë dhe ata kishin probleme për të shënuar pikë. Veçanërisht jam krenar që kemi fituar duelin e kërcimeve ndaj një ekipi kaq të gjatë, që na solli neve lehtësinë e shënimit,” ka përfunduar Lutz.
Peja mbrëmë ka shënuar fitoren e parë në Balkan League jashtë Karagaçit duke e mposhtur Levskin që njihej si ekip i rikthimeve të mëdha në BIBL.
Peja tashmë ka bilanc prej 5 fitoreve dhe 5 humbjeve në klasifikim, derisa gjindet në pozitën e pestë të Balkan League.
Në ndeshjen e radhës verdhezinjtë presin Kumanovën në Karagaç.