TRAJNERI I PENZËS, BUJAR LOCI
Loci: Bashkimi shumë i mirë, por lojtaret tona i kryen detyrat perfekt
23 October, 2021 @9:30
Trajneri i skuadrës së Penzës, Bujar Loci, pas fitores së ekipit që e drejton ai në derbi ndaj Bashkimit dje në Suharekë ka folur më shumë për skuadrën rivale sesa për të veten, krejt kjo në shenjë respekti.
Por, për të veten ka cekur një gjë që është më me rëndësi nga të gjitha - kryerjen e të gjitha detyrave nga lojtaret përgjatë lojës, që edhe e ka sjellë fitoren e merituar.
“I kënaqur jam me fitore natyrisht, pasi që e fituam Bashkimin që është një ekip me cilësi të jashtëzakonshme. Ka qenë me të vërtetë derbi. Ato do të bëhen edhe më të mira me kalimin e kohës. Bashkimi ka luajtur shumë mirë, por vajzat tona kanë zbatuar të gjitha detyrat e dhëna nga shtabi teknik dhe fitorja ka qenë e merituar për ne,” ka thënë Loci në deklaratën e tij pas ndeshjes.
Sa i përket ndeshjes, Penza ka parakaluar shumë lehtë. Vajzat pejane me kapitenen Valbona Bytyqi nuk janë duke njohur kundërshtar në Ligë të Femrave, derisa veçse kanë kapur dy Superkupa në proces. Bashkimi u mposht nga Penza 63-84, ku Williams dha 19 pikë, Bytyqi 15 e Gjuka 13 të tjera në fitore.