GOLDEN EAGLE YLLI - PEJA

Magjia e Erjon Kastratit e ‘zhduk’ fitoren nga duart e Pejës
3 April, 2021 @19:07
Erjon Kastrati është shndërruar në hero pasi me pikët vendimtare ia siguroi fitore skuadrës së tij, Golden Eagle Yllit, në ndeshjen përballë Pejës.
Peja kishte epërsinë prej 6 pikëve kur kishte edhe 2 minuta e gjysmë deri në fund të takimit (66-72), por që nga ai moment në skenë doli Erjon Kastrati që mori përgjegjësinë mbi supet e veta për ta kthyer rezultatin në të mirë të vendasve.
E momenti më kritik ishte depërtimi i Kastratit edhe 12 sekonda para fundit, që përfundoi me kosh-faul me ç‘rast edhe epërsia kaloi te Golden Eagle Ylli.
Nga 12 pikët e fundit të shënuara nga Ylli në 2 minutat e gjysmë të fundit, 9 u shënuan nga Kastrati derisa Peja u kundërpërgjigj me vetëm dy pikë më shumë, për rezultatin përfundimtar 78-74.
Një fund i tillë dramatik u paralajmërua që nga fillimi i ndeshjes pasi që rivaliteti ishte i madh dhe dallimi në rezultat gjithmonë ishte i ngushtë.
Koshashënuesi më i mirë i ndeshjes ishte qendra pejane Laron Dendy me 18 pikë, një më shumë se qendra tjetër pejane Brandon Walters (17), derisa te pala fituese u dallua LG Gill me 16 pikë dhe Valon Bunjaku me 15 sosh.
Kastrati, heroi i ndeshjes, takimin e përmbylli me gjithsej 13 pikë të shënuara.
Me këtë rezultat Ylli i mbanë gjallë shpresat për të përfunduar pjesën e rregullt të kampionatit në dy pozitat e para në tabelë që dërgon direkt në gjysmëfinale të Play Off-it, derisa Peja tashmë edhe matematikisht e ka siguruar që kampionatin ta përfundojë në pozitën e katërt.