SHQIP NË BOTË
Maxhuni përsëri shkëlqen, merr lëvdata nga trajneri
1 February, 2018 @14:49
Pas 3 fitoreve radhazi, skuadra e Long Beach State është mposhtur në takimin e zhvilluar në mëngjesin e sotëm ndaj skuadrës UC Irvine.
Skuadra e Long Beach State ishte në epërsi 7-8 pikë në shumicën e kohës, mirëpo numri i madh i gabimeve personale te skuadra ku aktivizohet Edon Maxhuni bëri që epërsia dalëngadalë të zbutet. 2 minuta para fundit të ndeshjes gjithçka u barazua, e më pas vendasit u treguan më të përqëndruar dhe e mbyllën ndeshjen me fitore 75-68.
Edoni ishte startues në këtë duel dhe luajti për gjithsej 24 minuta, brenda të cilave zhvilloi një tjetër paraqitje mjaft të mirë, duke shënuar 12 pikë (100% i saktë në të gjitha tentimet për shënim; 2/2 për 3 pikë, 2/2 për 2 pikë dhe 2/2 nga gjuajtjet e lira), ndërsa shtoi edhe 3 asistime, 3 topa të vjedhur, 1 kërcim, 4 gabime personale dhe 1 gabim teknik. Gabimi teknik i Edonit erdhi pas një ankese të lojtarit në fjalë ndaj gjyqtarit për shkak të një faulli të paakorduar ndaj tij. Edhe pse përsëritjet televizive treguan që Edoni pati të drejtë, reagimi i tij bëri që ndaj tij të referohet gabim teknik.
Lëvdata për Edonin pas ndeshjes dha edhe trajneri i kolegjit ku ai po luan në vitin e tij të parë si ‘freshman’.
“Kemi fituar një freshman që më të vërtetë po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje dhe e meriton pozitën e startuesit te skuadra.” - u shpreh trajneri i Long Beach State për Fox Sports për fundorin kosovar me nënshtetësi finlandeze.
Përkundër humbjes, Long Beach ndodhet në vendin e dytë dhe ende mbetet në lojë për ta arritur një nga 4 pozitat e para të konferencës, për t’u kualifikuar kështu për turneun NCAA, që fillon në javën e tretë të muajit mars.