KOSOVA-HUNGARIA
Mbetemi pa fitore
28 June, 2018 @22:06
Përkundër se dhanë mjaft shpresa në pjesë të parë, çereku i tretë dhe fillimi i atij të katërt bëri që Hungaria të dalë shumë më përpara në rezultat sesa Kosova dhe në atë të fundit, nuk kishte gjasa për kthim.
Ajo që ia vlen të përmendet te Kosova, është se përveç Dardan Berishës standard në lojë, e edhe Erjon Kastratit, tashmë do të ketë mundësi të llogarisë edhe në dy lojtarë tjerë.
Ka qenë i riu Dardan Kapiti që ka pasur paraqitje fenomenale në debutimin e tij për Kosovën në kualifikime për Botëror, njejtë sikurse edhe Mikaile Tmusic.
Kosova në fund ka mbetur pa fitore edhe pas ndeshjes së pestë në Grupin C kualifikues për Botëror, ndërsa Hungaria tashmë me fitore ndaj Kosovës 65-81, bashkë me Poloninë siguruan kalimin tutje.
Dardan Berisha ka qenë më efikasi te Kosova. Ai ka shënuar 17 pikë, 9 asistime dhe 3 kërcime.
Mikaile Tmusic, debutues, ka pasur paraqitje fenomenale për 20 minuta lojë sa ishte në parket. Ai shutoi 5/8 për tre pikë, duke përfunduar ndeshjen me 15 pikë të shënuara.
Pikë dyshifrore shënoi edhe playi Erjon Kastrati, 14. Ndërsa befasia më e mirë e ekipit ka qenë Dardan Kapiti, që me 17 vjetët e tij ka shënuar 8 pikë dhe ka fituar 30 minuta lojë nga Brad Greenberg.
Te Hungaria, playi David Vojvoda ka qenë mjeshtëror. Ka shënuar 17 pikë, ka pushuar 8 minuta gjatë ndeshjes, ndërsa ka shtuar edhe 6 asistime në fitoren, që kualifikoi Hungarinë.
Dueli përshëndetës për Kosovën luhet më 1 korrik, kur pret Poloninë e kualifikuar tutje.
Deklaruan pas ndeshjes:
Brad Greenbeg, përzgjedhës i Kosovës:
“Jam shumë i lumtur me performancën e ekipin tonë. Lojtarët luajtën me kurajo, me energji të pashoq. Kosova tregoi karakter pas tragjedisë që ndodhi ditën e shtunë. Dy lojtarë të rinj erdhën në shprehje, Kapiti i cili dëshmoi kapacitetet e tij, dhe Tmusic që erdhi vetëm mbrëmë për t’iu bashkuar Kombëtares tonë. E di që secili lojtarë në mendjen dhe zemrën e tyre kishin Gazin, ndërsa që unë ndihem krenar me djemtë tanë; ishte ndeshje shumë e mirë”.
Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësuesës së Kosovës:
“Momente tepër të vështira për neve. Nuk ishim për basketboll. S’kemi ushtru hiç sepse ka qenë situatë ekstreme per ne. Ka qenë vështirë mu ballafaqu me këtë situatë. Këtë ndeshje ia dedikojmë Gazit, lojtarëve të lënduar dhe fizioterapeutit. Kishim motiv të madh për këtë ndeshje edhe pse ju thashë bashkëlojtarëve që Hungaria ka përvojën por ne kemi zemrën në këto momente. Kosova ka brumë për të ardhmen dhe do të ketë basketboll në Kosovë. Falemnderit që keni qenë me neve. Më vjen keq që e them mirëpo është humbja më e ëmbël që e kam përjetuar”.