NGA KONFERENCA PARA NDESHJES
Kastrati: Të gjejmë forcë, të luajmë për Gazin
27 June, 2018 @16:59
Njëri ndër basketbollistët e dalluar të përfaqësueses së Kosovës, Erjon Kastrati, gjithashtu ka qenë emocional pas rastit tragjik të ditëve më parë.
Në konferencën e sotme për shtyp të reprezentacionit ai ka thënë se ekipi do të luftojë për të gjetur forcën mentale dhe fizike për të luajtur ndeshjet.
“Krejt çfarë mundemi të bëjmë është të gjejmë forcën të hyjmë në ndeshje dhe të luajmë sa më mirë dhe këtë ta bëjmë për Gazin.
Jemi të vetëdijshëm se gjendja jonë fizike dhe mentale nuk është e mirë, por do të mundohemi maksimalisht të gjejmë forcën e duhur për të luajtur. Të gjithë e dimë se në këtë ndeshje rezultati nuk është në plan të parë, andaj ne do të bëjmë përpjekje që të luajmë në kujtim për Gazin”.
Duelet e Kosovës ndaj Hungarisë dhe Polonisë, në kuadër të Grupit C kualifikues nga FIBA Europe - mund të ndiqen falas në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Kosova - Hungaria luhet nesër më 28 qershor dhe fillon në ora 20:30, ndërsa Kosova - Polonia luhet më 1 korrik me fillim në ora 20:30.
Kosova ende nuk ka shënuar asnjë fitore në Grupin C, pasi që ka kaluar fazën preliminare të kualifikimeve.