FLET KAPITENJA
Mbrojtja solli titullin
16 May, 2014 @9:25
Prejse skuadra e femrave të Bashkimit ka ndërprerë dominimin në basketbollin kosovar, aty tashmë Sigal Prishtina dhe Penza po luftojnë çdo vjet si për titull të kampionit ashtu edhe për Kupë të Kosovës.
Derisa Penza fitoi Kupën e Kosovës muaj më parë, Sigal Prishtina iu hakmorr duke e fituar titullin e kampionit, përkundër se pejanet patën epërsinë e terrenit vendas në finale të Play-Offit.
“Në fakt ndeshja e parë ka qenë më e vështirë. Ne faktikisht titullin e fituam me fitore atje, derisa në Prishtinë vetëm e vulosëm titullin kampion, ngase ka qenë lojë më e letë se e para,” ka thënë Zërina, e cila si kapitene ngriti trofeun e kampionit të Kosovës.
“Besoj se disciplina e madhe që kemi aplikuar në mbrojtje ka qenë arma kryesore e jona në këto ndeshje,” ka shtuar kapitenja prishtinase, duke e cilësuar mbrojtjen si vendimtare në fitoren prej 2-0 me lojë në serinë finale.
Tashmë Sigal Prishtina në dy vitet e fundit po e fiton radhazi titullin kampion, por Kupa në dy vitet e fundit shkoi në Pejë, te Penza. Mendoni se ndonjëra skuadër do të arrijë kurorën e dyfishtë stinorin e ardhshëm?!
“Te ne është heret të mendohet që tash për stinorin e ardhshëm ngase deri atëherë shumë gjëra ndërrojnë dhe asnjëherë nuk i dihet,” ka përfunduar Shatri që kontribuoi me 15 pikë në fitoren vendimtare për titull mbrëmë në Palestrën 1 tetori të Prishtinës.
Penza e udhëhequr nga trajneri Hekuran Husaj kishte përfunduar stinorin në vend të parë të Superligës së femrave, derisa Sigal Prishtina ishte e dyta.
Të dyja skuadrat kishin kaluar pa problem gjysmëfinalet duke e mposhtur Dritën dhe Trepçën me nga 2-0. E në finale me të fituar ndeshjen e parë në Pejë, Sigal Prishtina përfundoi dilemën e titullit mbrëmë - me festë.
SERIA FINALE:
Karagaç, Pejë | Penza - Sigal Prishtina | 70-81 | 0-1 |
1 Tetori, Prishtinë | Sigal Prishtina - Penza | 80-64 | 2-0 |